AlbanianSport.com 14/02/2021 21:05
ASNN – Moti i keq, që bëri që të shtyhen të shtunën 4 prej takimeve të vlefshme për dy grupet e Kategorisë së Parë, por edhe disa takime të Kategorisë së Dytë dhe kampionateve të moshave, ka bërë që edhe organizmi që qeveris futbollin në vend të reagojë, duke shtyrë ndeshjet e së dielës.
“Për shkak të kushteve të rënduara atmosferike në të gjithë vendin Federata Shqiptare e Futbollit vendosi, që të gjitha ndeshjet e parashikuara për t’u luajtur nesër (e diel), datë 14 shkurt 2021, të vlefshme për Kategorinë e Dytë dhe të gjitha nivelet e kampionatit të moshave nuk do të zhvillohen”, – thuhet në një njoftim të vonë.
“Data e zhvillimit të këtyre ndeshjeve do të njoftohen në ditët në vazhdim”, – vijon njoftimi në fjalë. Megjithatë, nesër do të luhen vetëm dy sfidat e vlefshme për Kategorinë e Parë, Lushnja-Egnatia dhe Elbasani-Tomori, ndërsa Kategoria Superiore i luajti të premten dhe të shtunën ndeshjet e radhës.