AlbanianSport.com 07/07/2021 21:25
ASNN – Turneu i Përfaqësueseve Rajonale për grupmoshat Nën-13, Nën-14 dhe Nën-15-vjeç, që është ndjekur me kujdes nga Sektori i Ekipeve Kombëtare në Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF) ka përfunduar me sukses javën që lamë pas edicionin e saj të radhës. Ky turne që zhvillohet çdo vit nga Federata Shqiptare e Futbollit ka si synim kryesor të evidentojë talentet e reja që janë pjesë e kampionateve rajonale të organizuara nga FSHF-ja si dhe vëzhgimin e këtyre futbollistëve të vegjël nga stafi i ekipeve Kombëtare në FSHF.
Duke analizuar për faqen zyrtare në Internet të FSHF-së këtë turne ish-futbollisti i Kombëtares dhe specialisti i futbollit në Sektorin e Ekipeve Kombëtare, Sulejman Mema, shprehet se janë evidentuar disa elementë gjatë këtij turneu, me të cilët duhet punuar shumë mirë në mënyrë që t’i shërbejnë në të ardhmen futbollit shqiptar. Gjithashtu, ai u shpreh se Federata Shqiptare e Futbollit do të fillojë nga puna së shpejti me trajnerët e këtyre grup-moshave, për t’i orientuar mbi metodën që duhet të përdorin dhe më pas do të niset me përzgjedhjet.
“Zyrat rajonale të FSHF-së kanë funksionuar normalisht, edhe pse në kushte epidemie, – ka thënë ai fillimisht. – Jemi munduar të jemi të pranishëm në çdo kohë dhe t’i mbështesim, jo vetëm futbollistët e vegjël por edhe stafet. Puna e këtyre zyrave po sjell efikasitet dhe prurjet që vijnë janë gjithmonë e më shumë cilësore. Turneu i ekipeve rajonale ka qenë shumë i suksesshëm këtë vit, ku ka dalluar ekipi i Korçës dhe ku kanë spikatur disa elementë që mendoj se do të jenë të mirë jo vetëm për ekipin e Korçës por edhe për futbollin shqiptar në përgjithësi.”
“Por duhet pasur kujdes, pasi duke qenë moshë e vogël, duhen trajnuar dhe stërvitur me klubet përkatëse, – ka vijuar ish-futbollisti i njohur. – Duhet t’u kushtohet vëmendja e duhur, në mënyrë që, në të ardhmen, ata të jenë pjesë e ekipeve tona kombëtare. Është shumë e rëndësishme puna që bëhet nëpër klube. Së shpejti, ne do të organizohemi dhe do nisim të orientojmë trajnerët e të gjithë këtyre grup-moshave se si duhet të punojnë me këtë grup futbollistësh. Pra, përpara çdo përzgjedhjeje që do të zhvillojmë, ne do të mblidhemi me trajnerët.
“U tregojmë atyre metodat e punës, se si duhet t’i trajnojnë këto grup-mosha, në mënyrë që të rrisim kualitetin e tyre, – ka sqaruar Mema. – Gjithsesi, niveli i lojtarëve, edhe pse pandemia ndikoi jo pak në gjendjen e tyre është i mirë. Ka elementë siç thashë edhe më sipër që bëjnë diferencën dhe në të ardhmen besoj se mund të jenë patjetër pjesë e ekipeve kuqezi në të ardhmen.” Gjithashtu, eksperti i futbollit foli edhe për përzgjedhjen e zhvilluar pak ditë më parë në Itali, me rreth 54 lojtarë shqiptarë të vitlindjeve 2004, 2005 dhe 2006.
Ai i ka vlerësuar dhe ka theksuar se do të jenë element të rëndësishëm për të ardhmen e ekipeve Kombëtare të moshave, duke thënë: “Në Itali është bërë një përzgjedhje cilësore, ishin rreth 54 lojtarë, si për Nën-17-vjeçarët, ashtu edhe për Nën-18-vjeçarët dhe Nën-19-vjeçarët. Të pranishëm në këtë përzgjedhje ishin trajneri i Kombëtares shqiptare, Edoardo Reja, Drejtori teknik, Xhankarlo Kamoleze si dhe trajnerët e ekipeve kombëtare të moshave. Duhet theksuar se këta janë futbollistë që ne i kemi evidentuar edhe më parë dhe që besoj se do të jenë vlera të shtuara për ekipet kombëtare të moshave.
“Trajneri Reja dhe trajnerët e ekipeve zinxhirë morën përshtypje mjaft të mira dhe ne do të vazhdojmë t’i mbajmë nën vëzhgim të vazhdueshëm për të ndjekur në vazhdimësi rritjen e tyre”, – përfundoi Sulejman Mema.