AlbanianSport.com 14/03/2024 18:10
ASNN – Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) organizon turneun e veçantë për veteranët në “Shtëpinë e Futbollit”, marrin pjesë Shqipëria, Hanover & Flamurtari. Kështu, më datë 23 mars në “Shtëpinë e Futbollit”, FSHF do të organizojë një turne të veçantë ku do të zbresin në fushën e lojës veteranët e futbollit. Në këtë turne i cili do të jetë në formën e një “triangolareje” do të marrin pjesë, Kombëtarja e veteranëve të Shqipërisë, ekipi i veteranëve të Hanoverit dhe ekipi i veteranëve të Flamurtarit.
Gjithsej, në mjediset e “Shtëpisë së Futbollit” do të luhen 3 takime. Turneu do të nisë në orën 12:00 me ndeshjen e parë, Shqipëri-Hanover. Më pas do të luhet ndeshja Flamurtari-Hanover dhe turneu do të ulë siparin me sfidën Shqipëri-Flamurtari. Kombëtarja e veteranëve të Shqipërisë drejtohet nga trajneri Sulejman Mema.
Ajo ka nisur nga puna për t’u përgatitur për këtë turne, teksa në mjediset e “Shtëpisë së Futbollit” janë kryer disa seanca stërvitore por edhe ndeshje kontrolli, në mënyrë që lojtarët të jenë në formë sa më optimale për të marrë pjesë në ndeshjet që do të organizohen mes veteranësh. FSHF po punon për të zyrtarizuar edhe një ndeshje miqësore për Kombëtaren e veteranëve të Shqipërisë, që mund të zhvillohet në prill.