AlbanianSport.com 05/11/2021 18:40
ASNN – Pas një ndërprerjeje njëvjeçare për shkak të kushteve të krijuara nga epidemia e “Covid-19”, është zhvilluar dhe ka përfunduar me sukses edicioni i 8-të i kursit të Drejtorit Sportiv, që organizohet nga Sektori i Edukimit në Federatën Shqiptare të Futbollit.
Ky kurs nisi më 18 tetor dhe përfundoi ditën e sotme, më 6 nëntor duke zgjatur për thuajse 3 javë, me leksionet e zhvilluara në mjediset e Shtëpisë së Futbollit. Në këto seanca të përditshme morën pjesë 20 kursantë, mes tyre edhe emra të njohur që kanë qenë pjesë e Kombëtares shqiptare si Migjen Basha, Elvis Sina, etj.
Ata patën mundësinë të ndiqnin leksionet e përgatitura nga drejtuesit e Sektorit të Edukimit në FSHF, Astrit Maçi dhe Alban Tafaj. Pas përfundimit të testit final që u zhvillua ditën e sotme, u zhvillua edhe ceremonia e shpërndarjes së diplomave, ku i pranishëm ishte Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, dhe drejtuesi i kursit, Astrit Maçi.
Të gjithë kursantët janë pajisur kështu me kartën e licencimit, duke pasur mundësinë të ushtrojnë detyrën e tyre nëpër klube.