AlbanianSport.com 27/10/2021 19:15
ASNN – Drejtoria Teknike në Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF) ka nisur që prej javës së kaluar përzgjedhjet për Përfaqësueset Rajonale të vitlindjeve 2008, 2009, 2010 në zonën e Elbasanit dhe Korçës me qëllim evidentimin e elementeve cilësorë në këto grupmosha, të cilët do të vazhdojnë më tej përgatitjet për Turneun e Përfaqësueseve Rajonale që organizohet nga organizmi që qeveris futbollin në vend.
Këtë javë drejtues të kësaj drejtorie kanë zhvilluar përzgjedhjet edhe në Zyrën Rajonale të Tiranës dhe Durrësit, ku të pranishëm ishin trajnerë të ekipeve të moshave kombëtare, trajnerë të ekipeve Përfaqësuese Rajonale të Tiranës, si dhe specialistë të kësaj drejtorie. Në përzgjedhjen që u zhvillua në Tiranë, u paraqitën një numër shumë i madh lojtarësh, rreth 646 të tillë, ku 138 ishin lojtarë të vitlindjes 2008, 264 të vitlindjes 2009 dhe 244 lojtarë të vitlindjes 2010.
Ndërkaq një numër i lartë futbollistësh u paraqitën edhe në përzgjedhjen që u zhvillua nga Zyra Rajonale e Durrësit, rreth 200 lojtarë të këtyre 3 grupmoshave, ku 80 futbollistë ishin të vitlindjes 2008, 66 të vitlindjes 2009 dhe 54 të vitlindjes 2010. Përzgjedhjet janë mbyllur javën e kaluar në Elbasan dhe Korçë, ndërsa do të vijojnë në ditët në vijim edhe në 4 zonat e tjera.