AlbanianSport.com 03/06/2020 12:20
ASNN – Të hënën, në mjediset e Federatës Shqiptare të Futbollit u zhvillua mbledhja e radhës e Komitetit Ekzekutiv. Nën drejtimin e Presidentit Armand Duka, Komiteti Ekzekutiv ka diskutuar e miratuar të gjithë materialet e propozuara nga departamentet e ndryshme në FSHF. Më pas janë diskutuar dhe debatuar shumë pika të rendit të ditës, si edhe janë miratuar ristrukturimet në organigramën e FSHF-së dhe strategjia e Futbollit të femrave e përgatitur nga Sektori përkatës pas konsultimeve me UEFA-n.
Pikë tjetër diskutimi ishte dhe projekti më i ri i FSHF, Futbolli “5×5”, për të cilin Federata do të nxisë krijimin e një kampionati kombëtar dhe ka krijuar një strukturë në Federatë për të ndjekur këtë synim ambicioz. Në mbledhjen e sotme u vendos për fillimin nga sezoni 2020-2021 i kampionateve kombëtare të Nën-13-vjeçarëve dhe Nën-21-vjeçarëve,. si dhe është marrë vendimi për nisjen e procesit për hartimin e strategjisë 2020-2025.
Kështu, Komiteti Ekzekutiv, ka miratuar strategjinë e prioritetit më të madh të futbollit shqiptar, zhvillimit të futbollit të femrave, e cila bazohet edhe në kërkesat e UEFA-s, ku çdo klub i Kategorisë Superiore duhet të ketë detyrimisht një ekip femrash për sezonin 2021-2022. Pjesa kryesore e buxhetit për zhvillimin e futbollit të femrave do të orientohet në këto drejtime:
– Do të paguhen me paga mujore të gjitha futbollistet vajza, trajnerët dhe stafet e tyre, duke mbuluar pagesa deri në 30.000 lekë në muaj për futbolliste.
– Do të stimulohen dhe mbështeten skuadrat e Nën-13 dhe Nën-15-vjeçarëve të klubeve të Kategorisë Superiore dhe jo vetëm. Do t’i jepet përparësi edhe formimit të ekipeve të Nën-13-vjeçarëve në të gjithë Shqipërinë, të subvencionuara nga FSHF, në mënyrë që të krijohet një bazë sa më e gjerë për të ardhmen e futbollit të femrave.
– Do të stimulohen mbi 60 ekipe shkollash 9-vjeçare të vendit, ku FSHF do të kontribuojë me bazën materiale si uniforma e topa, programe stërvitore si dhe stimuj financiarë për mësueset e edukimit fizik të cilët do të jenë trajnerë të këtyre ekipeve.
Ky vendim i rëndësishëm synon të mbështesë zhvillimin e futbollit të femrave, prioritet i deklaruar i FSHF.