AlbanianSport.com 25/01/2024 15:20
ASNN – Sektori i Gjykimit në Federatën Shqiptare të Futbollit ka zhvilluar një seminar me vëzhguesit e Kategorisë së Parë dhe asaj Të Dytë. Ky seminar u organizua në kuadër të rifillimit të pjesës së dytë të sezonit, dhe synohet rritja e performancës nga ana e zyrtarëve të ndeshjeve. Në këtë seminar morën pjesë 55 vëzhgues të dy niveleve inferiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit.
Fillimisht u analizua paraqitje e tyre gjatë sezonit 2023-2024 dhe problematikat e hasura apo gjërat që janë për t’u përmirësuar. Njëkohësisht, vëzhguesve u është kërkuar seriozitet maksimal në plotësimin e raporteve vlerësuese për zyrtarët e ndeshjes, teksa të gjithë kanë diskutuar edhe për vështirësitë që hasin gjatë një ndeshjeje në kategorinë e parë dhe të dytë.
Pas përfundimit të seminarit u zhvillua edhe një video-test teorik, ku të gjithë vëzhguesit ndanë mendimet e tyre. Në ditët në vijim, Sektori i Gjykimit në Federatën Shqiptare të Futbollit do të zhvillojë seminare edhe me vëzhgues të kategorive të tjera të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, për të diskutuar rreth problematikave që hasi dhe për të analizuar paraqitjen e tyre.