AlbanianSport.com 25/08/2021 16:50
ASNN – Me moton “Ne jemi një skuadër, rindërtojmë së bashku” Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) vazhdon me intensitet për rindërtimin e shtëpive të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit në Shqipëri, duke mbajtur premtimin e bërë pas fatkeqësisë natyrore që goditi vendin në vitin 2019. Zëvendës-presidenti i FSHF-së, Edvin Libohova, dhe Sekretari i Përgjithshëm i saj, Ilir Shulku, inauguruan shtëpinë e dytë të përfunduar tashmë në Shijak, e ndërtuar edhe falë donacioneve që kanë dhënë federatat partnere, stafi dhe lojtarët e ekipit kombëtar, administrata e Federatës, etj.
Gjatë bashkëbisedimit me familjen e Alfred Ademit, Zv.Presidenti Libohova vlerësoi faktin se kjo iniciativë e FSHF-së po konkretizohet dhe se së shpejti do të përfundojnë edhe dy shtëpi të tjera që po rindërtohen me donacionet e siguruara nga Federata. “Kjo është shtëpia e dytë që ne kemi përfunduar së ndërtuari, ndërsa dy të tjera janë në përfundim e sipër, – tha Libohova. – Fondi që arritëm të grumbullonim pas tërmetit është kontribut i botës së futbollit, por sigurisht me iniciativën e vetë Presidenti Duka dhe të vetë Federatës Shqiptare të Futbollit.”
“Në bazë të donacioneve që arritëm të mblidhnim ne kemi llogaritur të ndërtonim deri në 4 shtëpi dhe kjo nismë është pjesë e politikës që FSHF-ja ka për mbështetjen sociale, – ka vijuar ai. – Po kështu vepruam edhe në kulmin e epidemisë së Covid-19 duke ndihmuar ekipet e futbollit financiarisht.” Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm, Ilir Shulku, shprehu kënaqësinë që kjo familje tashmë ka një shtëpi të re falë kontributit të Federatës Shqiptare të Futbollit, duke thënë. “Kur ndërmorëm këtë nismë dhe duhet të gjenim disa nga familjet më në nevojë pas tërmeti, ideja e Presidentit Duka ishte që të piketonim familje nga kjo zonë që ishin më në nevojë”.
“Por edhe që ishin goditur më shumë nga fatkeqësia dhe jemi shumë të kënaqur që tashmë ju jeni sistemuar në një shtëpi të re”, – shtoi ai. Nga ana tyre, familja Ademi falënderoi FSHF-në për ndihmën e madhe që i dha, duke iu gjendur pranë në këtë fatkeqësi dhe duke i bërë me shtëpi të re. Më tej, Libohova dhe Shulku u dhuruan dy fëmijëve të shtëpisë nga një fanellë të Kombëtares dhe topa, teksa u sugjeruan që të angazhohen në të ardhmen me futbollin dhe ta praktikojnë sa më shumë sportin më të bukur në botë.