Adriatik Balla 14.10.2015 13:25
Federata Shqiptare e Futbollit do të përfitojë plot 12 milionë euro nga pjesëmarrja në fazën finale të Kampionatit Evropian verën e ardhshme, por në të njëjtën kohë ajo do të ketë mundësinë që për çdo fitore apo për çdo barazim të fitojë edhe shuma të tjera të mëdha. Barazimi vlen 750 mijë euro, fitorja 1.5 mln euro, kurse renditja si vend i tretë në grup fiton 1.5 milionë euro.
Parë në këtë kuadër, për Shqipërinë Evropiani nuk është vetëm një pjesëmarrje historike ndërmjet më të mirave të futbollit të kontinentit, por edhe një mënyrë përfitimi financiar, fitime që për kuqezinjtë mund të shkojnë në 15 mln euro që në fazën e grupit. Ndërkohë, UEFA ka publikuar edhe çmimet e biletave për ndeshjet e Kampionatit Evropian.
Kjo është diçka që u intereson shumë tifozëve kuqezi që duan të ndjekin përfaqësuesen në “Francë 2016”. Shuma që duhet paguar për ta shikuar një ndeshje të Evropianit do të ndryshojë si për nga pozicioni në stadium, por edhe nga faza në të cilën ndodhet kampionati. Natyrisht, biletat në fazën e grupeve do të jenë shumë më të lira se sa në finale.
Çmimet e biletave në ndeshjen hapëse, do të varrojnë nga 75 deri në 595 euro, ndërsa në takimet tjera në grupe dhe në 1/8 e finales, nga 25 deri në 145 euro. Me pak fjalë, në fazë e grupeve, tre takimet e para të Kombëtares tifozët kuqezi mund t’i ndjekin me një çmim mesatar deri në 100 euro.