AlbanianSport.com 01/04/2022 19:15
ASNN – Ka përfunduar ditën e djeshme afati i dorëzimit të gjithë dokumentacionit financiar për licencimin e klubeve aplikante për një licencë në veprimtaritë e Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) dhe UEFA-s për sezonin e ardhshëm 2022-23. Gjatë 4 muajve të fundit klubet aplikante për licencë kanë paraqitur në Sektorin e Licencimit në FSHF të gjithë dokumentacionin e kërkuar për të përmbushur 5 kriteret që kërkohen për të përmbyllur me sukses këtë proces.
Kriteret që duhet të plotësohen janë kriteri sportiv, ai i infrastrukturës, kriteri i administratës dhe personelit, kriteri ligjor dhe kriteri financiar, që është edhe kriteri me i rëndësishëm në raport me kriteret e tjera. Menaxheri i Sektorit të Licencimit të organizmit që qeveris futbollin në vend, Eduard Gjini, ka shpjeguar për mediat edhe procesin e licencimit dhe vlerëson përmirësimet që kanë bërë klubeve në të gjitha kriteret.
“Ka përfunduar më 31 mars procesi i dorëzimit të gjithë dokumentacionit financiar për klubet e Kategorisë Superiore, që janë kandidate për të marrë pjesë sezonin e ardhshëm në nivelin më të lartë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit dhe në veprimtaritë e UEFA-s, – ka thënë ai fillimisht. – Tashmë i gjithë dokumentacioni do t’u dorëzohet ekspertëve të kritereve, të cilët do të bëjnë raportet përkatëse dhe do të konkludojnë për çdo klub, nëse i ka plotësuar apo jo kriteret për t’u pajisur me licencë.”
“Nga analiza e deritanishme mund të thuhet se ka një përmirësim të situatës krahasuar me vitin e kaluar në aspektin e kritereve të licencimit të klubeve, por sigurisht nuk jemi akoma aty ku duhet dhe ka vende për të përmirësuar situatën, sidomos për 4 kriteret e para”, – përfundoi Gjini. Procesi i licencimit të klubeve është një nga elementet kryesore për të qenë pjesë e kampionateve elitare, jo vetëm në Shqipëri por kudo ku luhet futboll në botë.
Duke parë rëndësinë e madhe që ka ky proces, Departamenti Ligjor dhe i Licencimit të klubeve në Federatën Shqiptare të Futbollit ka zhvilluar muajt e fundit takime dhe seminarët pune me të gjitha klubet, ku i është bërë e qartë mënyra dhe procedura se si duhet të plotësohet dokumentacioni, për të përfituar, në përfundim të procesit, edhe licencën e nevojshme.