AlbanianSport.com 24/09/2021 19:25
ASNN – Ceremonia e mbylljes së kursit për licencën “UEFA B”, diplomohen 32 trajnerë të rinj. Sektori i Edukimit në Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF) ka përfunduar me sukses një tjetër edicion të kursit të licencimit për trajnerë të nivelit “UEFA B”, që është një nivel i rëndësishëm, pas dy licencave “UEFA PRO” dhe “UEFA A”.
Në këtë kurs, morën pjesë 32 trajnerë, të cilët ndoqën kurrikulën e përgatitur nga FSHF në bashkëpunim me UEFA-n dhe mbyllën me sukses provimin final. Ky kurs nisi më 30 gusht 2021 dhe u përmbyll të premten, me shpërndarjen e licencave, duke zgjatur rreth 4 javë, me 3 javë leksione në auditor dhe një javë së bashku me drejtuesit e kursit, trajnerët kanë ndjekur nga afër skuadrat elitë.
Pas përfundimit të testit, në ambientet e Shkollës së Trajnerëve në Kamëz u zhvillua ceremonia e shpërndarjes së diplomave “UEFA B”, ku të pranishëm ishin edhe anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Vasil Bici, përfaqësues të Sektorit të Edukimit si Alban Tafaj e Astrit Maçi, si edhe Iris Selimi, pjesë e Sektorit të Përgatitjes Atletike, të cilët janë përgjegjës për organizimin e këtij programi arsimor.
Në kurs morën pjesë emra të njohur të futbollit shqiptar, si Xhevahir Sukaj, Ditmar Bicaj, Meglid Mihani, Arsit Tafili, si edhe nga bota e futbollit të femrave, ish-futbollistja Suada Jashari, portierja aktuale e Kombëtares së femrave, Viona Rexhepi, e të tjerë. Kursi “UEFA B” mbulon të gjithë botën amatore të futbollit dhe është preludi i dy niveleve të tjera të licencave.