Gjergj Vyshka 07.01.2015 13:55
Dy lojtarë si Dion Avdiaj dhe Valmir Sulejmani duket se mbeten çështje të nxehta për kombëtaren e të rinjve, sepse ato kanë refuzuar të jenë pjesë e kësaj kombëtareje duke kërkuar të luajnë direkt në kombëtaren e të rriturve. Edhe pse duket sikur duan t’i lënë në hije, sërisht si trajneri Lala, ashtu dhe Jupi e kanë lënë një dritare hapur për një rikthim të mundshëm të tyre.
“Kam folur me Sulejmanin në Hanovër, ndërsa Avdiajn e kam ndjekur nga afër, – ka thënë Lala. – Por një lojtar që refuzon thirrjen e kombëtares nuk mund të thirret sërish.” Kurse për Jupin, lojtarë të tillë i janë sugjeruar trajnerit Xhovani De Biazi dhe në një moment mund të thirret. Ka dhe talente të tilla si Qazim Laçi, i cili është duke shkëlqyer me Olimpiakosin.
Sipas Jupit, përpara se të vijnë në Kombëtaren e të rriturve do të jenë tek Nën-21-vjeçarët e Skënder Gegës. Gjithsesi tashmë miqësorja me Italinë e Nën-19-vjeçarëve është gati nga ku do të nisë krijimi dhe konsolidimi i grupit të kombëtares së të rinjve të Shqipërisë për eliminatoret e Evropianit, të cilat zhvillohen nga data 12, deri më 17 nëntor 2015 në Gjeorgji. Dhe tanët do të jenë përballë Austrisë, Gjeorgjisë dhe Uellsit.