AlbanianSport.com 15/03/2021 20:10
ASNN – Kursi i përgatitësve atletikë të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) do të rikthehet së shpejti, pas suksesit që pati dhjetorin e vitit të kaluar. Ky kurs ofron një mundësi të shkëlqyer për të gjithë të interesuarit që duan të kualifikohen profesionalisht dhe të bëjnë karrierë si përgatitës atletik. Ashtu si herën e kaluar, kursi drejtohet nga përgatitësit atletikë të kombëtares, Luixhi Febrari, Luka Laurenti dhe Iris Selimi, por edhe ekspertë të fushës nga Shqipëria dhe jashtë saj.
Sa i përket nivelit të mësimdhënies, këtë herë do të ketë emra të njohur të futbollit ndërkombëtar, të cilët do të ofrojnë dijet dhe përvojën e tyre për pjesëmarrësit duke bërë leksionet përmes platformave online. Një nga emrat e konfirmuar si lektor i këtij kursi është Roberto Sasi, një figurë e njohur në botën e futbollit italiane, me mbi 30 vite pëvojë si trajner i përgatitjes atletike, por edhe si një studiues i mirëfilltë dhe autor i shumë botimeve.
I diplomuar në “Institutin Superior të Edukimit Fizik” në Milano, Sasi ka qenë trajner volejbolli, hendbolli dhe futbolli. Në CV-në e tij numërohen përvoja me peshë, si përgatitës atletik në skuadrat më prestigjioze, të tilla si Lacio, Torino, Valencia, Atletiko e Madridit, Sampdoria, por dy përvojat më afatgjata kanë qenë me klubin e Çellsit, në Angli, dhe, së fundmi, me Juventusin. Në të dyja këto raste ai ka qenë përgjegjësi i përgatitjes atletike dhe ka një bagazh të madh si profesionist i fushës.
Autor i librave dhe studimeve të ndryshme mbi përgatitjen atletike në futboll, Sasi ka dhënë leksione për trajnerët dhe përgatitësit atletikë në kurset e organizuara nga shkolla e “Qendrës Teknike dhe Federle të Koverçianos”. Përpos kësaj, ai ka mbajtur leksione edhe në Kongresin për kualifikimin e trajnerëve të UEFA-së. Me pak fjalë, Sasi është një personalitet i shquar në Evropë.
Dhe prania e tij mes lektorëve që do të marrin pjesë në kursin e përgatitësve atletikë të FSHF është një vlerë e shtuar dhe një kontribut i vyer për rritjen e ekspertizës teknike në futbollin shqiptar. Kursi, që do të nisë më datë 27 prill 2021 dhe do të zgjasë një muaj, do të zhvillohet në mjediset e FSHF-së në kryeqytet. Të gjithë personat e interesuar për t’u regjistruar në këtë kurs, janë të lutur të kontaktojnë në adresat e mëposhtme:
E-mail: drejtoria.teknike@fshf.al
Nr. tel: +355 68 404 0033