AlbanianSport.com 02.10.2014 07:55
ASNN – Sipas asaj që ka publikuar në faqen e saj zyrtare në Internet, dje paradite në Federatën Shqiptare të Futbollit, nën kryesimin e Presidentit Armand Duka u zhvillua mbledhja e Komitetit Ekzekutiv. Ajo vendosi që të mos pranojë kërkesën e Federatës së Futbollit të Serbisë, për një marrëveshje bilaterale, sipas të cilës, ndeshjet Serbi – Shqipëri në Beograd dhe Shqipëri-Serbi në Elbasan të zhvillohen pa praninë e tifozëve miq.
“Ajo kërkon nga pala serbe, që FSHF, të pajiset me sasinë e biletave që i takojnë, konform rregullave të përcaktuara nga FIFA dhe UEFA, në mënyrë që ato t’ja shpërndajë tifozëve dhe grupimeve shqiptare, të interesuara për të ndjekur ndeshjen në Beograd, – shkruan më tej faqja zyrtare në Internet e organizmit që qeveris futbollin shqiptar. -Gjithashtu ajo kërkon marrjen e masave për sigurinë e tyre në stadium dhe jashtë tij.”
Në vijim, Komitetit Ekzekutiv ka shprehur bindjen se me pjesëmarrjen e tifozëve, kjo ndeshje dhe në përgjithësi futbolli, nuk humb një dimension shumë të rëndësishëm. Nga ana tjetër, ky institucion beson se duhet krijuar një atmosferë sa më e bashkëpunuese, duke e konsideruar ballafaqimin e 14 tetorit, thjesht një ndeshje futbolli, pa etiketime politike e etnike. Në frymën e bashkëpunimit për zhvillimin sa më normal të kësaj ndeshje, më datë 13 tetor (një ditë përpara takimit) do të zhvillohet një miqësore mes Veteranëve të Futbollit të Serbisë dhe atyre të Shqipërisë.
Ky ballafaqim, i emrave të njohur të futbollit të të dy vendeve, do t’i shërbejë krijimit të një klime sa më të mirë përpara takimit zyrtar Serbi-Shqipëri.