AlbanianSport.com 23.09.2014 09:45
ASNN – Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit ka vendosur që këtë fundjavë të nisë Kampionati i Kategorisë së Parë, që duhet të kishte nisur më 13 shtator, dhe ai i së Dytë, i cili në fakt duhet të kishte filluar më 20 shtator. Po kështu Komiteti Ekzekutiv ka vendosur që ekipet që nuk kanë shlyer detyrimet financiare, brenda javës duhet të derdhin në FSHF 50% të detyrimeve që kanë për edicionin 2014-2015.
Për pjesën e mbetur të detyrimeve do të bëjnë një aktmarrëveshje me FSHF për t’i likujduar më 31 dhjetor 2014. Nëse brenda javës, klubet pjesëmarrëse nuk likujdojnë 50 % të detyrimeve, klubet debitore e humbin ndeshjen në tavolinë. Sa i takon infrastrukturës, të gjitha klubet duhet të sjellin brenda javës në FSHF garancinë e policisë për të marrë përsipër mbarëvajten e të gjithë aktivitetit. Në të kundërt duhet të sjellin marrëveshje me një nga stadiumet e tjera, të miratuara nga Policia e Shtetit”.
Që do të thotë se përpos humbjes në “tavolinë”, gjithnjë nëse nuk paguhet 50 % e detyrimeve, kampionati i Kategorisë së Parë, apo dhe i së Dytës, rrezikon të kthehet në një garë të fushave asnjanëse. Sepse edhe për shkak të një liste që policia ka dërguar në Federatën Shqiptare të Futbolli për ato stadiume që nuk plotësojnë kushtet e sigurisë, klubet do të shkojnë të luajnë jashtë qytetit të tyre.