AlbanianSport.com 24.10.2014 12:25
ASNN – Sekretari i Përgjithshëm, Ilir Shulku, si dhe dy anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Futbollit, Bardhyl Minxhozi dhe Artan Hajdari, dolën në një konferencë për shtyp, menjëherë pas deklarimit të vendimit të Komisionit të Kontrollit Etikës dhe Disiplinës në UEFA. Sekretari Shulku i ka njohur të pranishmit me vendimet e ardhura nga UEFA. Më pas, ata i janë përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.
Në lidhje me vendimin avokat Artan Hajdari ju përgjigj: “Sipas rregullores, argumentimi duhet kërkuar në UEFA, brenda 5 ditëve nga komunikimi i vendimit, gjë të cilën FSHF-ja do ta kërkojë menjëherë. Pavarsisht argumentimit të munguar, ne gjykojmë se Shqipëria është dënuar për shkak të “refuzimit për të vazhduar ndeshjen”, gjë që nuk ka qenë kështu nga ana jonë, ndërsa gjoba është vënë për shkak te “banerit te ndaluar”, sërish e pavërtetuar dhe e pabazuar.”
“Ky ishte një dënim, i cili nuk mund të themi se pritej, por që në mendojmë se ka patur ose më saktë, ka pësuar influencën politike”, – shtoi Hajdari. Më pas ai ka theksuar: “Ky vendim, rezulton për ne tërësisht i padrejtë dhe ne do të vazhdojmë të kërkojmë drejtësi në Komisionin e Apelit dhe më tej në CAS (Court of Arbitration for Sport). Ne do të kërkojmë drejtësi dhe do të kërkojmë të marrim maksimumin në të gjitha drejtimet, gjithashtu edhe tre pikët e mohuara në këtë vendim të sotëm.”
“Provat e grumbulluara dhe të paraqitura janë mëse të plota dhe nga ana juridike, sepse së bashku me dy studiot e tjera është punuar në mënyre mëse profesionale”- ka përfunduar ai. Më pas ka reaguar edhe anëtari tjetër i Komitetit Ekzekutiv, zoti Bardhyl Minxhozi: “Vendimi nuk ka dhënë drejtësi sepse nuk ka dënuar dhunën e ushtruar në stadiumin e Beogradit. Fusha e lojës dhe lojtarët tanë janë dhunuar nga huliganë që kanë uzurpuar fushën. Koret raciste në stadium nuk kanë pushuar.”
“Serbia është dënuar të zhvillojë dy ndeshje pa spektatorë por të jeni të sigurt që në stadium nuk do të mungojë Ivan Bogdanovi, që ishte edhe dirigjenti i dhunës së ushtruar në fushën e lojës”, – ka shtuar Minxhozi. “Ne kishim paraqitur 6 pika në të cilat UEFA duhet të bazonte vendimin e saj, ndërsa Serbia vetëm 2, ku njëra prej tyre kishte të bënte me braktisjen e takimit, që siç duket është marrë parasysh”, – ka deklaruar Shulku.
“Ne do të apelojmë vendimin, – theksoi ai, – pasi në kuadër të asaj ç’ka ndodhi në Beograd ne meritojmë tre pikët.” Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, gjithashtu bëri të ditur se nuk ka sanksione ndaj lojtarëve të kombëtares sonë apo asaj serbe, çka lë të kuptohet se vendimi i UEFA-s është përqendruar tek ndërprerja e takimit dhe raporti i vëzhguesve të saj, si dhe gjyqtarit. Në mbyllje Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, ka falënderuar mediat për mbështetjen që i kanë dhënë në lidhje me këtë çështje.