AlbanianSport.com 24/01/2021 19:25
ASNN – Në një intervistë të dhënë për një radio italiane, trajneri i përgatitjes fizike në Kombëtaren shqiptare, Luixhi Febrari ka analizuar në detaje kursin e fundit të përgatitësve atletikë të zhvilluar nga Federata Shqiptare e Futbollit në dhjetor dhe ecurinë në vazhdim. “Mua më që më ka takuar të merrem me formimin e përgatitësve atletikë në futboll dhe kam filluar të bëj kurse, – ka rrëfyer 69-vjeçari. – Në fakt, kam mbaruar një kurs që zgjati një muaj në dhjetor ku rreth 30 të rinj morën pjesë dhe do të bëjmë në fund të janarit edhe një provim mbi kursin.”
“Kam thirrur 10-15 kolegë që e kanë bërë më parë këtë kurs, përfshirë këtu veten time dhe kolegë të tjerë që më ndihmojnë në punën time me Kombëtaren dhe kemi bërë rreth 110 orë leksione përmes video-konferencës, për shkak të arsyeve që tashmë dihen, – ka vijuar specialisti italian. – Dhe ka nisur tashmë ky projekt, që do të ketë evolucionin e vet vit pas viti. Kështu, kursi i ardhshëm i përgatitësve atletikë do të jetë në muajin maj. Kur të kthehem në Tiranë në fund të muajit, rreth një javë, do të bëj 20 orë të tjera përditësimesh, me një grup tjetër.”
“Siç e thashë, më ka nderuar shumë kjo detyrë që më ka dhënë presidenti i FSHF-së, Armand Duka dhe shpresoj të mund t’i plotësoj këto pritshmëri, që janë besoj të arritshme. Roli i trajnerit të përgatitjes fizike do të mundësohet përmes kurseve të organizuara nga Federata Shqiptare e Futbollit, me kushtin që skuadrat A dhe B, do të jenë të detyruara të kenë një përgatitës atletik të certifikuar nga Federata. Kështu bëhet edhe në Itali dhe kjo është garancia për të cilën unë pranova të organizoj këtë kurs”, – përfundoi trajneri i përgatitjes fizike në Kombëtaren shqiptare, Luixhi Febrari.