AlbanianSport.com 28/10/2021 16:25
ASNN – Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) po vijon punën me përzgjedhjet e futbollistëve të rinj të grupmoshave 2008, 2009, 2010 në të gjitha zonat rajonale të vendit. Përzgjedhjet janë përmbyllur këtë javë edhe në Zyrat Rajonale të Fierit dhe Gjirokastrës, nën drejtimin e specialistëve të Drejtorisë Teknike si dhe trajnerëve të ekipeve përfaqësuese rajonale dhe ekipeve kombëtare të moshave.
Zyra Rajonale e Fierit i ka zhvilluar përzgjedhjet në mjediset e stadiumit të Apolonisë me rreth 194 futbollistë të pranishëm, ku 68 ishin të vitlindjes 2008, 66 të datëlindjes 2009 dhe 60 lojtarë të datëlindjes 2010. Lojtarët e rinj janë ndjekur nga afër nga trajneri i Kombëtares së Nën-20-vjeçarëve, Iljaz Haxhiraj, si dhe trajnerët e ekipeve të moshave.
Ata kanë pasur mundësinë të evidentojnë elementet e reja, të cilët do të vazhdojnë më tej përgatitjet për Turneun e Përfaqësueseve Rajonale që organizohet nga Federata Shqiptare e Futbollit. Përzgjedhjet u përmbyllën edhe në Zyrën Rajonale të Gjirokastrës, ku u paraqitën 89 futbollistë, 30 prej të cilëve i përkisnin vitlindjes 2008, 32 të vitlindjes 2009 dhe 27 të vitlindjes 2010.
Deri më tani, përzgjedhjet janë mbyllur në 6 zyra rajonale, ku numri më i lartë i lojtarëve të paraqitur ka qenë në Tiranë.