AlbanianSport.com 31/01/2019 15:20
ASNN – Emanuela Rusta, Shqipëria ka për herë të parë një gjyqtare femër me stemën e FIFA-s. Meqë me meshkujt nuk po çajmë sa duhet në arenën ndërkombëtare, duket se me femrat do të kemi suskes. Rasti i fundit është i një gjyqtareje futbolli, e cila i ka kaluar shkëlqyeshëm testimet fizike teorike dhe ka marrë stemën e FIFA-s si gjyqtare ndërkombëtare.
Bëhet fjalë për Emanuela Rustën, e kolegjiumit të Elbasanit, e cila i ka tejkaluar të gjitha vështirësitë dhe tani mund të konsiderohet gjyqtare e afirmuar ndërkombëtare. Ditët e fundit, në Lisbonë të Portugalisë po zhvillohen seminare dhe testime teorike dhe praktike me gjyqtarët e rinj të FIFA-s, meshkuj e femra, ku kanë marrë pjesë 38 gjyqtare femra midis të cilave edhe Emanuela Rusta.
Ajo ka qenë në 4 prej më të mirave në këto testime dhe me meritë e ka marrë stemën e FIFA-s. Janë rezultate të shkëlqyera nga gjyqtarja shqiptare, e cila bëhet kështu femra e parë shqiptare që ka të drejtën të drejtojë dhe gjykojë në ndeshjet ndërkombëtare të FIFA-s. Kjo është arritje për futbollin shqiptar dhe sidomos për angahzimin e femrave në gjykim.