AlbanianSport.com 10/02/2024 17:55
ASNN – Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka theksoi se partneriteti me kompaninë “Sigal Uniqa” ka qenë gjithmonë i shkëlqyer dhe shumë i frytshëm. “Bashkëpunimi i Federatës Shqiptare të Futbollit me kompaninë Sigal Uniqa ka filluar që në 2016-ën dhe përderisa ka vazhduar kaq gjatë, përderisa është rinovuar disa herë kjo marrëdhënie, do të thotë se ka qenë një bashkëpunim shumë i mirë dhe shumë i frytshëm, – ka thënë ai. – Nëpërmjet kompanisë, FSHF ka siguruar pothuajse të gjithë futbollistët e niveleve profesioniste, të futbollistëve të Kombëtareve, të Kategorisë Superiore, të futbollit të femrave.”
“Nuk është thjesht një mbështetje financiare, por është një bashkëpunim i vërtetë, një mbështetje në të gjitha këndvështrimet, – ka vijuar Duka. – Edhe nëse kemi ndonjë rast që nuk parashikohet nga kontrata, Sigal në asnjë mënyrë apo në asnjë kohë nuk refuzon të mbështesë apo të mbulojë çdo lloj dëmtimi. Është një bashkëpunim i shkëlqyer dhe jam shumë i sigurt që do të zgjasë gjatë sepse nuk besoj se Federata do të gjejë një kompani tjetër sigurimesh që do të mbështesë më mirë, do bashkëpunojë më mirë dhe në mënyrë shumë funksionale në të mirën e futbollit shqiptar në përgjithësi.”
“Aq më shumë që drejtuesi i kompanisë Sigal është vetë një njeri i sportit, – ka theksuar Presidenti i FSHF-së. – E kupton shumë mirë këtë dhe e bën me pasion këtë mbështetje, përveçse një detyrim kontraktor.” FSHFdhe “Sigal Uniqa Group Austria” që prej vitit 2016-të vijojnë të kenë një bashkëpunim të suksesshëm. Kompania “Sigal Uniqa Group Austria” është një ndër sponsorët kryesorë të FSHF-së dhe Kombëtares së futbollit teksa kontributi dhe mbështetja gjatë gjithë këtyre viteve ka qenë e madhe, pasi nëpërmjet kësaj kompanie, FSHF ka siguruar të gjithë futbollistët e nivelit profesionist, të Kombëtares, të Kategorisë Superiore dhe futbollit të femrave.
Më tej, kreu i organizmit që qeveris futbollin në vend tha se viti 2023 ishte më i suksesshmi në historinë e futbollit shqiptar dhe shtoi se sukseset nuk mund të arrihen vetëm por falë bashkëpunimit me të gjithë bashkëpunëtorët që kontribuojnë në të mirë të futbollit. “Viti që mbyllëm apo Eliminatoret e Kampionatit Evropian kanë qenë më të suksesshmet e historisë së futbollit shqiptar. Vendi i parë në grup, paraqitja fantastike e ekipit, performanca fantastike e të gjithë ambientit, e tifozëve ka qenë një ngjarje, në kompleks, për t’u shënuar në histori. E kam theksuar që asgjë nuk mund të arrihet vetëm. Aq më shumë në një sport kolektiv si futbolli.”
“Pikërisht këtu merr forcë edhe bashkëpunimi që kemi me Sigal-in, bashkëpunimi që kemi edhe me bashkëpunëtorë të tjerë të futbollit shqiptar, që të gjithë bashkë të realizojmë një ëndërr të përbashkët në fund të fundit kombëtare, – ka theksuar Duka. -Sepse futbolli në një lloj mënyre është fe për shqiptarët, është sport shumë i dashur dhe këtë sukses e kemi arritur të gjithë bashkë. Pa dyshim me kontributin më të madh të futbollistëve por edhe të bashkëpunëtorëve tanë dhe të Sigal-it që ka qenë, siç e thashë në fillim, mbështetje e përhershme, e pakursyer dhe do të vazhdojë ta bëjë.”
“Po të kthehemi në 2016-ën, ishte fillimi i bashkëpunimit me Sigal-in, që në një lloj mënyre na solli fat, na çoi në Evropianin e atij viti. Ky bashkëpunim është edhe sot në 2024-ën dhe unë uroj të jetë akoma më shumë dhe jam i bindur që do të jetë akoma më shumë”, – ka përfunduar Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka.