AlbanianSport.com 15.03.2016 09:00
ASNN – De Biazi ishte pranë Getafesë në Spanjë, para firmës me Shqipërinë. Këtë e ka pohuar vetëm presidenti i FSHF-së, Armand Duka, në një intervistë për një televizion italian. Me pak fjalë, ky çasti i firmosje së kontratës mund të mos kishte ndodhur aspak. Xhovani De Biazin vetëm rastësia e bëri trajner të kombëtares, një rastësi që bëri realitet atë që do të vazhdonte të ishte thjesht një ëndërr.
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka rrëfyer prapaskenat e dhjetorit të vitit 2011, i ftuar në televizionin italian, “Rete 4”. De Biazi priste një shans tjetër, i cili për fat nuk erdhi. Pasi nënshkroi në 11 dhjetor të më shumë se katër viteve më parë, trajneri nga Sarmede hapi një epokë të vërtetë për ekipin përfaqësues, duke arritur sukses pas suksesi.
Kulmin e arriti kur siguroi kualifikimin për në fazën finale të Kampionatit Evropian, hera e parë që kombëtarja siguroi pjesëmarrjen në një turne të madh. Në vazhdimin e bisedës në “Rete 4”, Duka tregoi edhe një tjetër të fshehtë, drejtuesit e Peskarës janë gati të blejnë një klub të rëndësishëm në Kategorinë Superiore shqiptare, ndërsa diçka të tillë po e mendon edhe Askoli.
Së fundi, Duka ka folur edhe për teknologjinë në futboll, duke e rreshtuar veten me konservatorët. Presidenti theksoi se është kundër, pasi sporti më popullor i botës ka ecur fare mirë përpara, pa pasur nevojë për teknologjinë, dhe do të jetë më interesant, pa të.