AlbanianSport.com 03/08/2020 23:10
ASNN – Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka uruar fituesit e edicionit futbollistik 2019-2020, që sapo u mbyll. Një sezon i pazakontë që kaloi mes peripecive të imponuara nga epidemia e “Covid-19”, por që arriti të rifillonte pas ndërprerjes dhe u mbyll me finalen e Kupës së Shqipërisë të dielën e 2 gushtit, që u fitua nga Teuta, e cila mundi në finale Tiranën. Kreu i organizmit që qeveris futbollin shqiptar u ka dërguar telegram urimi të gjitha klubeve që triumfuan këtë sezon, duke u shpallur “kampionë” në kategoritë përkatëse, apo duke u ngjitur një kategori më lart.
Tirana (“kampione” e Kategorisë Superiore, Vllaznia femra (“kampione” & fituese e Kupës së Shqipërisë për femra), Teuta (fituese e Kupës së Shqipërisë), Apolonia (fituese e Grupit B & fituese e Kategorisë së Parë, “kampione” e Kategorisë Superiore të Nën-19-vjeçarëve dhe “kampione” e Kategorisë së Parë të Nën-17-vjeçarëve), Kastrioti (fitues i Grupit A në Kategorinë e Parë), Vora (fitues i Grupit A & fituese e Kategorisë së Dytë), Tomori (fitues i Grupit B në Kategorinë e Dytë), si edhe ekipeve “kampione” të moshave, që nga Internacionali Nën-15-vjeçarët, Shënkolli Nën-17-vjeçarët, “Football Republic” Nën-19-vjeçarët, etj., janë fituesit e edicionit futbollistik.
“Në emër të Federatës Shqiptare të Futbollit dëshiroj t’ju dërgoj urimet më të përzemërta për suksesin në sezonin 20192-2020, – shkruan Presidenti Duka në urimet për klubet fituese të këtij sezoni, të botuar në faqen zyrtare në Internet të organizmit që qeveris futbollin në vend. – Të gjithë ju duhet të jeni krenarë për këtë arritje të rëndësishme. Triumfi juaj është tërësisht rezultati konkret i punës së palodhur, angazhimit të madh, besimit të thellë dhe shpirtit të sakrificës që keni treguar gjatë një viti të vështirë për të gjithë.”
“Është koha të festoni për momentet e paharrueshme që keni kaluar gjatë këtij sezoni, – ka vijuar kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit në mesazhin e tij. – Por duke filluar nga nesër, të gjithë së bashku, duhet t’i rikthehemi punës, madje duke shtuar forcat, për t’u përmirësuar dhe rritur akoma më shumë cilësinë sportive në të mirën tuaj dhe të futbollit shqiptar.”