AlbanianSport.com 11/01/2019 21:10
ASNN – Duka merr mbështetjen e presidentit të federatës së vendit ku lindi futbolli. Numrit 1 të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Dukës, i ka ardhur një mbështetje e madhe nga homologu i tij anglez, Greg Klarku, i cili ishte të premten në Tiranë, ku takoi presidentin e organizmit që qeveris futbollin në vend dhe i premtoi atij një mbështetje të fortë. Të gjitha këto qëndrime dhe mbështetja e tij, erdhën pas takimit kokë më kokë me Dukën dhe njëherësh vizita në selinë e re të FSHF-së që po ndërtohet në mjediset e “Parkut Olimpik” të Tiranës, si dhe stadiumin e ri kombëtar.
“Jam këtu për të mbështetur presidentin tuaj të futbollit, sepse ka bërë një punë të mirë për futbollin shqiptar, – u shpreh ndër të tjera Presidenti i Federatës Angleze të Futbollit. – Gjatë viteve të tij në krye të Federatës, ajo ka investuar shumë në infrastrukturë. Kam ardhur këtu për ta takuar, folur dhe mësuar prej tij. Ne në Angli vetëm mësojmë dhe e mira e futbollit anglez është përulësia, kudo që shkoj vetëm mësoj. Presidenti juaj ka shumë përvojë dhe vetëm kam mësuar prej tij. Ne e mbështesim atë në garën për në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s.”
“Sepse ka një reputacion të mirë në futboll, ka bërë shumë punë dhe është i respektuar në Evropë, – ka vijuar zyrtari i futbollit anglez. – Është një kandidat i madh.” Kurse presidenti i FSHF-së Armand Duka, me këtë takim dhe përzemërsinë e bisedës që pati me homologun anglez, i bën në një farë mase “presion” kreut aktual të UEFA-s, Aleksandër Çeferinit, nën presidencën e të cilit skuadrat shqiptare kanë qenë pre e vendimeve penalizuese nga komisionet disiplinore të organizmit që qeveris futbollin evropian.
“Për herë të parë një president i federatës angleze të futbollit viziton Shqipërinë jo në një ndeshje futbolli por për të parë realitetin shqiptar. Kjo na shërben duke shkëmbyer idetë personale. Jam i kënaqur dhe duhet të jemi të respektuar që kemi mbështetjen e vendit ku lindi futbolli”, – u shpreh Duka i entuziazmuar nga vizita e mikut anglez, vendi i të cilit është vendlindja e futbollit dhe kampionati anglez është padyshim më i ndjekuri në botë. Vizita e presidentit të federatës angleze nuk është e rastësishme, sepse më 7 shkurt të këtij viti do të zhvillohen zgjedhjet për komitetin ekzekutiv të UEFA-s, dhe ky është kandidimi i dytë i presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka.
Në prillin e 2017-ës numri një i qeverisë sonë të futbollit mori 25 vota, teksa shpresat janë të mëdha që kësaj radhe të mposhtë konkurrencën e madhe për të siguruar vendin në institucionet që drejtojnë futbollin evropian. Kjo vizitë e të tilla si kjo mund ta ndihmojë atë të marrë sasinë e mjaftueshme të votave për të qenë anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s.