AlbanianSport.com 07/02/2019 16:10
ASNN – Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, e fitoi më në fund betejën e tij me rivalët për një vend në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s. Më saktë ishte një përzgjedhje e 7-të kandidatëve nga 8 kandidatura gjithsej, nga të cilët Duka mori 36 vota dhe ishte i gjashti në listën e më të votuarve. Kreu i FSHF-së ishte i pari që iu drejtua kutisë së votimit dhe bëri zgjedhjet e tij për anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, nisur nga rendi alfabetik i federatës përfaqësuese (Albania).
Më pas erdhi radha e presidentëve të tjerë të federatave anëtare të qeverisë evropiane të futbollit. Një detaj interesant është se numërimi i votave u bë nga sekretari i përgjithshëm i UEFA-s, Theodhor Theodhoridhis, një mik i Dukës dhe dashamirës i futbollit shqiptar. Madje Theodhoridhis ka qenë disa herë në vendin tonë duke inspektuar punimet në “Arenën Kombëtare” dhe në selinë e re të FSHF-së pranë Parkut Olimpik të Tiranës.
Së fundmi, kujtojmë se para dy vitesh më parë Duka e humbi duelin për të qenë anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s për vetëm 9 vota, por këtë herë ai siguroi një numër të pranueshëm prej 36 votash dhe në këtë formë futbolli shqiptar do të ketë në zyrat e tij qendrore një zë më përfaqësues, sepse Duka llogaritet tashmë në stafin vendimarrës të qeverisë evropiane të futbollit.
Votat e fituesve:
49 Shandor Csanai – Hungari
47 Luis Rubiales – Spanjë
47 Davor Shuker – Kroaci
45 Fernando Gomes – Portugali
40 Jesper Mëler Kristensen – Danimarkë
36 Armand Duka – Shqipëri
27 Andri Pavelko – Ukrainë