AlbanianSport.com 08/02/2019 16:35
ASNN – Vlonjatët janë gjaknxehtë, Flamurtari “abonohet” me gjobat e Komisionit të Disiplinës. Flamurtari ka vazhdimisht probleme në organizimin e ndeshjes dhe duke qenë në mënyrë të përsëritur pjesë e veprimeve ndëshkimore të Komisionit të Disiplionës, për klubin vlonjat për herë e më shumë rëndojnë gjobat apo penalizimet me mungesë spektatorësh.
Edhe një herë tjetër Komisioni i Disiplinës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit ka marrë një masë ndëshkuese për klubin vlonjat për shkak të sjelljes së gabuar të tifozerisë në ndeshjen ndaj Tiranës e vlefshme për turin e 16-shes, duke e gjobitur me 2 milionë lekë të vjetër. Kurse vendimet e tjera nuk kanë ndonjë peshë të rëndësishme për klubet dhe zyrtarët.
Sidoqoftë, vlen të theksohet se në mediat sportive në Internet ishin ngritur dyshime për mosndëshkimin e sulmuesit të Tiranës Grent Halili, djali i presidentit të klubit të Tiranës, Refik Halili, në ndeshjen midis Flamurtarit e Tiranës, ku dyshimi është se përveç kartonit, lojtari duhej ndëshkuar për konfrontim me lojtarin kundërshtar. Zyrtarët e ndeshjes nuk e kanë referuar rastin, sepse gjyqtari i ka dhënë karton të kuq futbollistit dhe lojtari do të shlyejë me një javë pezullim ndëshkimin me të kuqe. Në këtë rast është brenda rregullores.
Vendimet e Komisionit të Disiplinës, datë 8 shkurt 2019
- FC “Flamurtari”, për sjellje të gabuar të spektatoreve, në bazë të Nenit 66/1 të KDS, dënohet me gjobë në masën 200.000 (dyqindmijë) lek.
- Zyrtari i KF “Apollonia”, Erion Hamitaj, për protestë ndaj vendimeve të zyrtarit të ndeshjes, në bazë të Nenit 56/1/a) të KDS, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
- Rrëzimin e kërkesës së lojtarit të KF “Klosi”, Ardit Kadiu, si të pa bazuar në KDS dhe Rregulloret e tjera të FSHF.