AlbanianSport.com 17/02/2021 21:40
ASNN – Edhe zyrtari i Bylisit, Hasimaj, ndëshkohet me 9 ndeshje për tensionin në takimin me Laçin. Përplasja e shëmtuar gjatë ndeshjes midis Bylisit dhe Laçit, që çoi në ndëshkimin me karton të kuq të dy futbollistëve, ka qenë në qendër të vëmendjes së Komisionit të Disiplinës dhe Etikës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit, të mbledhur të mërkurën.
Kështu, lojtari i Laçit, Kirian Nuabueze, për sulm ndaj kundërshtarëve, në bazë të nenit 47/1/e të KDS, dënohet me 10 ndeshje pezullim nga aktiviteti. Për të njëjtën arsye, edhe lojtari i Bylisit, Xhoi Carkanji, është dënuar gjithashtu me 10 ndeshje pezullim nga aktiviteti. Të dy lojtarët u ndëshkuan me karton të kuq në këtë ndeshje, që në fund u fitua nga kurbinasit me një gol të vetëm.
Ndërkaq, po në lidhje me tensionin e krijuar në atë ndeshje, zyrtari i Bylisit, Ermal Hasimaj, për sulm ndaj kundërshtarëve, në bazë të nenit 47/2/b të KDS, dënohet me 9 ndeshje pezullim nga aktiviteti. Duhet kujtuar këtu se edhe klubi i Laçit ka marrë masë ndaj futbollistit të vet, Nuabueze, duke e pezulluar atë pa afat. Ndërkaq, Komisioni i Disiplinës ka marrë vendimet edhe për disa ngjarje të Kategorisë së Dytë dhe atij të Nën-19-vjeçarëve.