AlbanianSport.com 01.07.2015 13:45
ASNN – Federata Shqiptare e Futbollit ka përvijuar të mërkurën strukturën e sezonit të ri të nivelit të dytë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, duke i ndarë 20 skuadrat në dy grupet përkatëse. Sezoni i ri i Kategorisë së Parë, i cili do të zhvillohet në 3 faza, do të fillojë më datë 12 shtator 2015 dhe do të mbyllet më 19 maj të vitit 2016.
Pas Kategorisë Superiore, edhe niveli i dytë i Kampionatit Kombëtar të Futbollit ka përvijuar strukturën e tij për sezonin e ri, me ndarjen e 20 skuadrave në dy grupet përkatëse. Një gjë e tillë është bërë e ditur nëpërmjet një njoftimi të botuar nga Federata Shqiptare e Futbollit në faqen e saj zyrtare në Internet.
Sipas këtij njoftimi, struktura e sezonit të ri nuk ndryshon dhe çdo grup do të ketë në përbërje 10 skuadra. Në grupin A, që njihet ndryshe si edhe si grupi i Veriut, do të marrin pjesë Besëlidhja, Mamurrasi, Iliria e Fushë-Krujës, Kastrioti, Burreli, Kamza, Ada e Velipojës, Besa, Korabi dhe Erzeni.
Ndërkaq, në grupin B, apo atë të Jugut, do të marrin pjesë: Apolonia, Elbasani, Lushnja, Butrinti, Sopoti, Luftëtari, Dinamo, Shkumbini, Pogradeci dhe Gramshi. Sezoni i ri i Kategorisë së Parë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, i cili do të zhvillohet në 3 faza, do të fillojë më datë 12 shtator 2015 dhe do të mbyllet më 19 maj të vitit 2016.