AlbanianSport.com 03.03.2015 19:55
ASNN – Sikundër është bërë e ditur në një njoftim të afishuar në faqe zyrtare në Internet të organizmit që qeveris futbollin shqiptar, sot paradite, në Federatën Shqiptare të Futbollit është mbledhur Komiteti Ekzekutiv i saj, i cili ka diskutuar për probleme të ndryshme të rendit të ditës.
“Vendimi më i rëndësishëm i tij, ka qenë thirrja e Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme të futbollit shqiptar, – shkruhet në njoftimin në fjalë. – Është vendosur që ajo të zhvillohet më datë 19 mars në sallën e Hotel “Tirana Internacional”. Punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme të FSHF, do të fillojnë në orën 09.00.”
Asambleja e Përgjithshme, është organi më i lartë i Federatës Shqiptare të Futbollit. Ajo mblidhet një herë në vit. Asambleja e fundit është mbledhur më 28 shkurt 2014. Ndërkohë, presidenti Armando Duka është në mandatin e tij të 4-t në krye të të organizmit që qeveris futbollin shqiptar.