Gjergj Vyshka 24.04.2015 07:55
Trajneri Santos inspekton Hotelin “Sheraton”, si dhe stadiumin“Elbasan Arena”. Vendimi i 13 qershorit i Këshillit të Arbitrazhit sportiv në Lozanë mban në ankth grupin. Frikë nga Shqipëria, ndërsa Portugalia ka mbërritur që tani në Tiranë për ndeshjen e 7 shtatorit 2015. E vërteta është fakti se vendimi i Këshillit të Arbitrazhit Sportiv të Lozanës për ndeshjen e 14 tetorit, Serbi-Shqipëri, duket se mban në ankth të gjithë grupin. Për më tepër pretendentët për të kaluar direkt në fazën finale të Kampionatit Evropian, i cili më 2016-tën do të zhvillohet në Francë.
Bëhet fjalë për Portugalinë dhe Danimarkën, të cilat në rast se Lozana do t’i japë të drejtë kombëtares sonë duke i kthyer 3-pikëshin që Disiplina dhe Apeli ia hoqi në mënyrë të kontradiktore, atëherë i duhet të shtrëngojnë dhëmbët fort. Sepse tashmë Shqipëria do të mund të bëhet kandidat potencial për të qenë në Evropianin e Francës si i kualifikuar direkt. Në fakt më tepër se sa Danimarka, e cila e pret kombëtaren tonë më 4 shtator 2015 në Kopenhagen, duket se frikë ka Portugalia, që do të jetë udhëtuese më 7 shtator 2015 në “Elbasan Arena”.
Portugezët ende nuk e kanë harruar “dushin” e ftohtë që kanë pësuar nga kuqezinjtë në Aveiro, atje ku goli i Bekim Balajt i dha trepikëshin e parë kuqezinjve të De Biazit. Ndaj që katër muaj para, portugezët kanë nisur të mendojnë për ndeshjen e 7 shtatorit në Elbasan. Madje kanë nisur të kujdesen dhe deri për detajet më të vogla që kanë të bëjnë për akomodimin e skuadrës, apo dhe stadiumin ku do të luhet ndeshja. Dhe si për “ironi të fatit”, si në asnjë rast tjetër, në Tiranë ka mbërritur trajneri i kombëtares së Portugalisë për t’u kujdesur për kushtet e përfaqësueses së tij.
Pse jo dhe për ato të Nën-21-vjeçarëve, që më 8 shtator 2015 do të jetë përballë Kombëtares sonë, e cila me shumë mundësi do të mund të zhvillohet në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa”. Trajneri Fernando Santos, të cilin shqiptarët e njohin si trajnerin e Greqisë në Botërorin “Brazil 2014”, teksa në turin e 16-shes u eliminuan pas goditjes së 11-metërshave nga Kosta Rika. 60-vjecari, që ka ardhur në fakt në krye të Portugalisë pas humbjes së luzitanëve ndaj kombëtares sonë në Aveiro, ka mbërritur në Aeroportin e Rinasit në orët e vona të së mërkurës.
E që andej është nisur menjëherë drejt Hotel “Sheraton”-it, ku Portugalia do të akomodohet për ndeshjen me kuqezinjtë. Në programin e Santos ka qenë edhe një vizitë në “Elbasan Arena” për të parë gjendjen e terrenit të këtij impianti. Edhe pse është praktikë që kushtet e akomodimit dhe prenotimet të bëhen nga zyrtarët e Federatës, Santos ka preferuar që të merret vetë më këtë çështje duke parashikuar që Shqipëria mund të jetë një rival i drejtpërdrejtë i Portugalisë për një biletë në fazën finale të Francë 2016.