AlbanianSport.com 03/09/2021 20:40
ASNN – Italia, “kampione” në fuqi e Evropës, nuk ka shkuar më shumë se një barazim 1-1 me Bullgarinë. Por ajo që shqetëson trajnerin Roberto Mançini është mungesa e një golashënuesi të mirëfilltë. Situata ndërlikohet për Spanjën që mundet 2-1 nga Suedia. Kjo humbje e zbret skuadrën e trajnerit Luis Enrike në vendin e dytë në grup, duke rrezikuar kështu kualifikimin për në Botërorin “Katar 2022”. Kështu, Italia dhe Spanja nuk kanë marrë rezultatet e pritura nga ndeshjet e zhvilluara të enjten, të vlefshme për Eliminatoret e Botërorit të vitit të ardhshëm.
Kampionët në fuqi të Evropës, futbollistët e Italisë nuk kanë mundur të japin më të mirën e tyre në fushë, kundër Bullgarisë. Një barazim 1-1 ka lënë një shije të hidhur tek të gjithë. Përfaqësuesja e Mançinit dominon në nivelin e lojës dhe u jep vetëm një mundësi kundërshtarëve, që rezulton vendimtare, por mungesa e një golashënuesi është mëse e dukshme se kurrë te Italia. Dhe të mendosh që është e vështirë të ndryshosh një sistem që dha 35 ndeshje radhazi pa humbur. Por ndaj Zvicrës duhet fitorja për të rinisur.
Ose të paktën barazimi, në mënyrë që të mos rrezikohet kalimi i grupit. Por vetë trajneri Mançini nuk e quan një dramë barazimin me Bullgarinë. “Na mungoi vetëm saktësia në zonën e golit, – ka thënë trajneri italian. – Ishte një ndeshje ku topi nuk donte të hynte në rrjetë. Ndaj Zvicrës duhet të marrim rezultat pozitiv. Do të luajmë për fitore.” Një paraqitje jo të mirë ka bërë Spanja në këto Eliminatore. Kombëtarja e Luis Enrique mundet 2-1 duke ndërlikuar situatën në grupin B, me 2 pikë më pak se skuadra e homologut Anderson, që ka edhe një ndeshje më shumë për të luajtur.
Kur dihet që vetëm skuadra e parë e grupit kualifikohet direkt për në fazën finale të “Katar 2022”. Spanjollët luajnë mirë por nuk janë të qetë para porte duke gabuar pafund. Tashmë skuadrës së Luis Enrikes i duhet të fitojë patjetër ndaj Gjeorgjisë dhe Kosovës. E mbi të gjitha ndaj Suedisë në nëntor të këtij viti. “Ne humbëm shumë dyluftime dhe ata arritën të depërtojnë më shumë në zonën tonë, – ka thënë Enrike. – Kjo më shqetëson. Përsa i përket kalimit të grupit, kjo do të varet vetëm nga ne”.
Por mediat nuk falin. Luis Enrike është vënë sërish në bankën e akuzuarve. Reagimi i tij dhe i skuadrës do të shikohet në ndeshjet e ardhshme.