AlbanianSport.com 02.03.2017 21:15
ASNN – Shqipëria e futbollit të femrave duhet të ndeshej sot në një tjetër miqësore me Malin e Zi, vetëm 48 orë pasi triumfuar ndaj fqinjeve veriperëndimore me shifrat 5-3 në Stadiumin “Elbasan Arena”. Por takimi i sotëm, që duhet të luhej në Stadiumin “Loro Boriçi të Shkodrës, u anulua në mënyrë të papritur.
Sipas një njoftimi të afishuar në faqen e saj zyrtare në Internet nga Federata Shqiptare e Futbollit, “lodhja fizike e një pjese të mirë të lojtareve të të dyja skuadrave, si dhe pas dëmtimeve gjatë ndeshjes së parë në Stadiumin “Elbasan Arena”, por edhe impenjimet e futbollisteve me klubet ku luajnë, i kanë çuar në unison të dyja federatat në vendimin për ta zhvilluar ndeshjen në një moment të dytë të volitshëm”.
Ky është edhe versioni zyrtar i palës shqiptare, por, ka edhe një version tjetër zyrtar nga ana tjetër e kufirit veriperëndimor. Në një njoftim të shkurtër në faqen e saj zyrtare në Internet, Federata e Futbollit të Malit të Zi, ka pohuar se ndeshja e Shkodrës është anuluar, por ka dhënë një arsye tjetër për këtë vendim.
“Miqësorja e dytë e kombëtareve A të futbollit të femrave, Shqipëri-Mali i Zi, që do të duhej të luhej sot në Shkodër, është anuluar për shkak të probleme shëndetësore të përfaqësuese vendëse”, – shkruan njoftimi, faksimilen e të cilit e gjeni në foton shoqëruese të këtij shkrimi.
“Skuadra kombëtare e Shqipërisë, e helmuar nga ushqimi, ka qenë e pamundur për të zbritur në fushën e Stadiumit të Shkodrës për ndeshjen e sotme”, – përfundon njoftimi i shkurtër i Federatës Malazeze të Futbollit (FSCG). Mesa duket, rakordimi midis dy Federatave për të dhënë të njëjtin shpjegim mbi këtë episod të turpshëm, ka munguar…