Nga Gjergj Vyshka 24.04.2016 12:35
Dy ndeshje brenda ditës duket se kanë qenë më shumë se rraskapitje për ato skuadra që e kanë pasur në kurriz një gjë të tillë. E ka pësuar Vlora Voleji, e cila pasi kishte luajtur dy orë dhe pesë sete me Vllazninë duhet të përballte Partizanin në anën tjetër.
Të njëjtën gjë do të ketë Vllaznia sot teksa në ora 10:00 ka qenë përballë Himarës dhe në 11:30 ndaj Partizanit. Por një fenomen të tillë e ka pësuar dhe Skënderbeu në Durrës dhe e ka pasur edhe Apolonia sot.
Pra një formulë jo e zgjedhur drejt nga Federata Shqiptare e Volejbollit në një veprimtari që normalisht duhet të ishte në tre ditë. Sigurisht që janë marrë parasysh shpenzimet financiare të një qëndrimi 3-ditor të një skuadre, fakti që shumica janë nxënese shkollash e të tjera si këto.
Megjithatë mund të kishte një zgjidhje më optimale nëse do të luhej të premten pasdite, të shtunën pasdite dhe të dielën në mesditë, sepse kështu me rraskapitje totale nuk duket se i shërben cilësisë së lojës, sidomos nga ato ekipe që e vuajtën në kurriz.