AlbanianSport.com 25/06/2020 20:25
ASNN – Karlos Sainzi do të largohet nga “MekLaren”-i në fund të sezonit dhe do t’i bashkohet “Ferrari”-t pasi është konfirmuar si zëvendësues i 4 herë kampionit të botës, Sebastian Fetel. Ky i fundit, do ta mbyllë aventurën e tij me skuadrën e kuqe në fund të vitit. Por piloti spanjoll, duhet ende të kryejë edhe një sezon të plotë me “MekLaren”-in, atë që do të nisë në 5 korrik 2020 në Austri, pas një pushimi të gjatë të detyruar nga shpërthimi i epidemisë së virusit “Covid-19”.
Pilotët që ndryshojnë skuadër në fund të sezonit, shpesh ndodhen para situatave të tilla, kur u kërkohen të sjellin informacione nga skuadrat rivale. E me makinat e 2020-ës që do të jenë në pistë edhe në 2021, si pjesë e marrëveshjes së arritur nga Formulës 1 në kuadër të përgjigjes ndaj situatës së epidemisë, kjo gjë do të jetë shumë e lehtë. Por Drejtori i Përgjithshëm i “MekLaren”-it, Zak Brauni, ka shpjeguar se nuk është nevoja të jenë shumë të rezervuar ndaj Sainzit, pasi nuk besojnë se ai do të bëjë rolin e spiunit.
“Do të garojmë së bashku në 2020-ën dhe synojmë të arrijmë sa më shumë suksese, – ka thënë Brauni. – Karlosi është një profesionist dhe ne jemi të tillë. Nëse do të arrijë të mbledhë informacione për ne, atëherë nuk do të arrijmë asnjë fitore. Makina jonë e 2021-shit do të jetë e njëjtë me atë të 2020-ës. Ne do të jemi si një libër i hapur për Sainzi, por mendoj se ai nuk do të arrijë ta bëjë “spiunin””. Sainzi do të garojë me Sharl Lëklerun tek “Ferrari” vitin e ardhshëm, duke i dhënë fund bashkëpunimit tepër të frytshëm me Lando Norrisin.