AlbanianSport.com 05/03/2021 23:10
ASNN – WADA ka nisur hetimin për makinën “Haas”. Makina e skuadrës amerikane, është prezantuar me një dizenjo të re, që përmbante tre ngjyrat e flamurit rus. Kjo gjë nuk është e lejuar, pasi Rusia është e pezulluar për dy vite nga të gjitha veprimtaritë ndërkombëtare, për shkak të çështjes sp dopingut. Ndaj sportistët rusë, duhet të garojnë si neutralë, pa simbolet e tyre kombëtare. Kështu, Agjencia Botërore e Anti-Dopingut (WADA) ka nisur hetimin për makinën “Haas” të Formula 1, për vitin 2021, për shkak se ajo është veshur me ngjyrat e flamurit rus.
“Haas”, të mërkurën zbuloi një dizajn të ri për makinën e saj, të mbiquajtur “VF-21”, ku spikatnin në ngjyrat e kuqe, të bardhë dhe blu, që i përkasin flamurit rus, për të pasqyruar sponsorin e ri, “Uralkali”, i cili është mbështetësi i pilotit Nikita Mazepin. Por ky fakt ngriti shqetësime në lidhje me pajtueshmërinë me vendimin e Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv (CAS), e cila njoftoi në dhjetor se atletët rusë ishin të ndaluar të garonin me simbole kombëtarew në të gjitha veprimtaritë sportive ndërkombëtare, për dy vitet e ardhshme.
Ndalimi vinte si pasojë e çështjes së dopingut dhe mbulimit të tij të sponsorizuar nga shteti në Lojërat Olimpike Dimërore 2014. Federata Ruse e Automobilizmit konfirmoi në shkurt se ky dënim do të shtrihej edhe në Kampionatet Botërore të FIA-s, që do të thotë se Mazepini nuk mund të garojë nën flamurin rus këtë vit. Piloti rus e ka gjithashtu të ndaluar të përdorë stemat, flamujt ose simbolet kombëtare, si dhe fjalën “Rusi” ose “Rus”, në veshjet ose pajisjet e tij. “Haas” pretendoi që dizajni në makinën e re, nuk ishte krijuar për të anashkaluar vendimin e CAS-it.
Por WADA ka bërë të ditur se po e shqyrton çështjen. “WADA është e vetëdijshme për këtë çështje dhe po e shikon me autoritetet përkatëse, – tha një zëdhënës i WADA-s për Motorsport.com. – Pasiguria qëndron brenda klauzolës së vendimit që thotë se atletët rusë “nuk do të shfaqin publikisht asnjë stemë kombëtare ose simbol tjetër kombëtar të Federatës Ruse, përfshirë, pa kufizim, në rrobat, pajisjet ose sendet e tjera personale”. Pas një kërkese për koment nga Motorsport.com në lidhje me pajtueshmërinë e veprimit të të “Haas”, ka reaguar edhe FIA.
“Ekipi na ka sqaruar se vendimi i CAS-it nuk e ndalon përdorimin e ngjyrave të flamurit rus”, – ka deklaruar Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit. Deklarata e parë nga Federata Ruse e Automobilizmit bën të ditur që Mazepini dhe pilotët e tjerë rusë në Kampionatet Botërore të FIA-s mund të përdorin akoma ngjyrat e flamurit rus, si dhe siglat e RAF-së, që do të thotë “Federata Ruse e Automobilizmit”. “Padyshim që ne nuk mund ta përdorim flamurin rus, si flamur rus, por ngjyrat e tij mund t’i pëdorim në makinë”, – tha shefi i skuadrës së “Haas”-it në Formula 1, Gynther Sthajner.
“Në fund të fundit, është sportisti, që nuk mund të shfaqë flamurin rus dhe jo ekipi, – ka vijuar ai. – Ne jemi një ekip amerikan.”. Vetë Mazepini tha se i vinte shumë keq, që vendimi i WADA-s, kishte hyrë në fuqi përpara sezonit të tij debutues në Formula 1, ku ai pritet të garojë si një sportist neutral nga Rusia. “Ende po diskutohet se si do të klasifikohem, – tha piloti rus i skuadrës amerikane. – Nuk ka ende një vendim mbi këtë çështje.”