AlbanianSport.com 26/03/2022 20:55
ASNN – Meksikani, më i shpejti në pistën e Arabisë Saudite pas provave zyrtare dramatike. Kanë zgjatur afro dy orë e 15 minuta provat zyrtare të Çmimit të madh të Arabisë Saudite të shtunën, duke dhuruar disa të papritura, teksa Serxhio Perez do të niset i pari në garën e së dielës. Sikundër provat zyrtare të së shtunës, edhe gara e së dielës do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, duke nisur nga ora 18:50.
Kishte nisur në mënyrë dramatike të premten, teksa provat e lira të Çmimit të Madh të Arabisë Saudite ishin zhvilluar teksa rebelët Huthi të Jemenit goditën me raketa një depozitë nafte vetëm 11 km larg pistës së Xhid’das të premten dhe ka vijuar të jetë po aq dramatik edhe të shtunën, ndonëse jo për ato që ndodhën jashtë piste, por për ato që ndodhën brenda saj. E papritura e madhe e parë ndodhi në seancën e parë të prova zyrtareve të garës së dytë të këtij sezoni të ri të Formulës 1.
Aty ku pati një ndërprerje të shkurtër për shkak të aksidentit të Latifit, ndërsa 7 herë kampioni i botës, Ljuis Hemilton ishte çuditërisht më i ngadaltë sesa rivalët e tij, madje më i ngadaltë edhe sesa shoku i tij i skuadrës së “Mercedes”-it, Xhorxh Rasëll, dhe nuk shkoi dot më larg sesa vendi i 16-të, duke mbetur kështu jashtë dy seancave të fundit zyrtare dhe do ta nisë nga garën e së dielës, si rrallëherë, nga fundi i radhës së 8-të.
Ndërkaq, edhe më dramatike ka qenë seanca e dytë, atje ku në gjysmën e saj, Mik Shumaker është përplasur me murin rrethues të pistës në kthesën nr. 12, duke dëmtuar rëndë makinën e tij, prej së cilës është nxjerrë me vështirësi, duke vijuar më pas të dërgohet në spital, aty ku sidoqoftë gjendja e pilotit gjerman është konfirmuar si e mirë. Dhe, provat zyrtare që kishin nisur në orën 18:00 me orën e Tiranës, kanë rinisur vetëm në orën 19:40.
Duke vijuar të eliminojnë në seancën e dytë edhe Lando Norrisin, Daniel Riçiardon, Zhou Guanjanin, Mik Shumakerin dhe Lans Strollin. Seanca e 3-të dhe e fundit ka parë fituesin e garës së parë, Sharl Lëklerk të marrë përkohësisht vendin e parë me kohën 1 minutë, 28 sekonda e 255 të mijëtat, por vetëm menjëherë pas do të vijë Serxhio Perez i cili do të jetë vetëm 55 të mijëtat e sekondës më i shpejtë. Por kjo i ka mjaftuar pilotit të “Red Bull”-it të marrë vendin e parë në nisjen e garës së të dielës.
Ai ka lënë pas pilotin nga Monako, por edhe pilotin tjetër të “Ferrari”-t, Karlos Sainz. Ndërkaq, kampioni në fuqi i botës, Maks Verstapen, nuk shkon dot më larg se vendi i 4-t, ndërsa 10-shen e të parëve do ta plotësojnë Sebastian Okon me “Alpin”, Xhorxh Rasëll me “Mercedes”, Fernando Alonso me “Alpin”, Valteri Botas me “Alfa Romeo”, Pjer Gasli me “AlfaTauri” dhe Kevin Magnusen me “Haas”. Sikundër provat zyrtare të së shtunës, edhe gara e së dielës do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, duke nisur nga ora 18:50.