AlbanianSport.com 18/09/2018 17:55
ASNN – “Red Bull”-i po përgatitet edhe për ndëshkime në vijën e nisjes së Çmimit të Madh të Rusisë në Formula 1, teksa përgatitet t’i rikthehet versionit B të motorit të saj “Renault”. Ndonëse Maks Verstapenit ishte në gjendje të nisej nga vija e parë dhe ta mbyllte i dyti garën në Singapor, me motorin më fuqishëm të versionit më të përparuar, atij C, fundjava e shkuar nxorri në pah një numër çështjesh teknike. Kjo bëri që motori i tij ta linte shpesh në baltë apo të kalonte edhe në një marsh të rremë neutral kur ai nuk e kishte shtypur gazin në maksimum.
“Red Bull”-i shpreson që këto problem teknike të zgjidhen përpara se versioni C të përdoret sërish, por drejtuesi i skuadrës, Kristian Horner, ka bërë të ditur se po shqyrtohet mundësia e përdorimit të varianteve të reja të versionit të vjetër B të specifikave të motorit për garën e ardhshme në Soçi. Skuadra austriake nuk e ka fshehur se është gati të rrezikojë ndëshkime të reja, pasi vendosi motorë të rinj në Itali dhe pjesët e drejta të pistës ruse të paktën japin mundësi për më shumë parakalime që do të neutralizonin sadopak dëmin e shkaktuar nga këto ndëshkime.
I pyetur nëse problemet me versionin C do të zgjidheshin, Horner tha se shpresonte që kjo të bëhej kur të vendosej të përdorej përsëri ky version motori. “Sipas gjasave, do të përdorim versionin B të motorit për garën e ardhshme, – tha ai. – Do ta shqyrtojmë mundësinë që ta bëjmë në Soçi, edhe pse duket se do të ndëshkohemi për këtë.” Siç dihet, skuadra austriake nuk ka qenë e kënaqur me motorët e firmës franceze të automobilëve dhe vitin që vjen do të përdorë motorët e firmës japoneze, “Honda”.