AlbanianSport.com 28/08/2021 19:40
ASNN – Zgjasin mbi orë, Maks Verstapen, më shpejti, gara të dielën, drejtpërdrejt në RTSH 1. Maks Verstapen ka siguruar nisjen i pari të dielën Çmimin e Madh të Belgjikës në Formula 1, ndërsa rivali i tij për titull, Ljuis Hemilton, do të niset i 3-ti. Sikundër provat zyrtare të së shtunës, që kanë qenë një maratonë dramatike e ndikuar nga kushtet atmosferike, edhe gara e së dielës do të sillet për sportdashësit nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH 1.
Supozohej të niste në ora 14:45 dhe pritej të kishte mbaruar, në kushte normale, rreth orës 16:00, por ka përfunduar një orë më pas, në ora 17:00, duke u shndërruar në një nga provat zyrtare më dramatike të këtij sezoni të Formulës 1. Kanë qenë kushtet atmosferike ato që kanë ndikuar mjaft në ecurinë, por edhe zgjatjen e këtyre 3 seancave të provave zyrtare, që u ndërprenë edhe për shkak të një aksidenti të rëndë të Lando Norrisit.
Por në fund të tyre, Maks Verstapeni mposhti Xhorxh Rasellin, për të marrë vendin e parë në nisje në garën e së dielës. Ljuis Hemiltoni do të niset i 3-ti, ndërsa krah tij, në radhën e nisjes do të rreshtohet Daniel Riçiardo. Nga seanca e parë, që filloi me afro 20 minuta vonëse, deri në seancën e 3-të, skuadrat dhe pilotët i ndërruan shpesh gomat e makinave, të kushtëzuar nga lagështira e pistës. Me fillimin e saj, Norris u ankua në radio për ujë të tepër në pistë.
Ndërsa Sebastian Fetel, që ishte pas tij, kërkoi që seanca të ndalej. Por apeli i tij nuk u mor në konsideratë dhe pasi Norrisi pësoi një aksident të frikshëm, por, për fatin e tij të mirë pa pasoja, veterani gjerman iu hakërrye në radio drejtuesve të garës. Pas një ndërprerje prej 40 minutash, seanca e 3-të filloi dhe pasi dyshja e “Mercedes”-it, Hemilton dhe Botas, dhanë kohët më të shpejta, ishte Rasëll regjistroi kohën më të shpejtë.
Por, në fund, ai u parakalua nga Verstapen, që regjistroi kohën 1 minutë, 59 sekonda e 765 të mijëtat. Sikundër provat zyrtare të së shtunës, edhe gara e së dielës do të sillet për sportdashësit nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH 1.