AlbanianSport.com 13/08/2021 22:05
ASNN – Shefi teknik i “Red Bull”-it analizon ecurinë e deritanishme, reflekton mbi përmirësimet. Pasi viteve të tëra duke mbetur prapa “Mercedes”-it, këtë sezon “Red Bull”-i ia ka dalë të ketë një makinë që ngjan më shumë se kurrë si një sfiduese e “Shigjetave të Argjendta” dhe Shefi Teknik i skuadrës austriake, Adrian Njuei thotë se suksesi i këtij sezoni qëndron tek nxjerrja e mësimeve nga gabimet e bëra sezonin e shkuar.
Duke folur për ecurinë e deritanishme, betejën për titull me “Mercedes”-in dhe erën e re në Formula 1, që nis në 2022-shin, ai ka zbuluar edhe rrugëtimin drejt zhvillimit që ka bërë makina e 2021-shit, e cila e ka arritur skuadrën të korrë 6 fitore deri më tani. “Duke e hedhur vështrimin prapa, ne lamë prapa prototipin “RB15” të 2019-ës dhe kaluam vitin e shkuar te ai “RB16”, sepse kishte disa gjëra që nuk i kuptonim plotësisht”, – ka rrëfyer Njuei.
“Edhe me programin e tunelit të erës dhe të gjithë arsenalin tonë të simulimeve, kishte ende gjëra që mund të të pengojnë dhe pikërisht kjo ndodhi në fillim të 2020-ës, – ka vijuar ai. – Na u desh pak kohë për t’i kuptuar dhe për t’i zgjidhur këto çështje dhe, e mira ishte, siç ndodh shpesh, se mëson gjëra që nuk do t’i kishe mësuar dot ndryshe. Sepse mëson më tepër nga gabimet, sesa nga të mirat. Mendoj që kjo na shërbeu si bazë për të bërë ato përmirësime që bëmë gjatë dimrit.
“Dhe ishin këto përmirësime që na sollën këtu ku jemi”, – shtoi Njuei. Ai sqaroi se “Red Bull”-i punoi intensivisht me pjesën e amortizuesve të prapmë dhe skuadra e interpretoi siç duhej edhe rregulloren e 2021-shit për aerodinamikën, që kufizon shasitë e makinave.