AlbanianSport.com 17/12/2018 19:25
ASNN – Pesë vjet më pas nga aksidenti i legjendës së Formula 1, vjen lajmi se ai nuk është më i shtrirë në shtrat, por vazhdon kujdesi ndaj tij që kushton më shumë se 50,000 stërlina në javë, në kështjellën zvicerane. 29 dhjetori do të shënojë 5 vjet që kur Mikael Shumaker, pësoi aksidentin në Alpet Franceze, ndërsa ishte duke bërë ski, i cili e la të paralizuar. Bashkëshortja e tij, Korina, ka kërkuar të ruajë privatësinë mbi gjithçka po ndodh në shtëpinë e saj si dhe për gjendjen e Mikael.
Miqtë e tyre nuk flasin. Nëse veprojnë ndryshe nuk janë më miq, thotë ajo. Sipas faqeve sportive të “Daily mail”, ish-ylli gjerman i garave nuk është më i shtrirë në shtrat, por kërkon kujdesin që i bëhet një të moshuari. Kjo është një ditë e ndritshme dimri, pas këtij lajmi, për të gjithë të apasionuarit pas botës së Formula 1, edhe pse asgjë tjetër nuk dihet për atë çka ndodh brenda rezidencës së tij 50 milion-stërlinëshe në Zvicër, në të cilën ndodhet Mikael Shumakeri, i fshehur nga bota.
Megjithatë, e përditshmja britanike në fjalë vazhdon të nënvizojë se gjermani nuk është i shtrirë në shtrat, as nuk ekzistojnë më tuba. Besohet se ai po merr kujdes të madh nga infermierët përsa i përket terapisë, që vlerësohet të kushtojë më shumë se 50,000 stërlina në javë. Midis miqve që e vizitojnë atë rregullisht, është edhe Zhan Tod. Por ai është gjithnjë shumë i kujdesshëm që kurrë të mos zbulojë gjendjen e legjendarit gjerman të pistave.
Megjithatë ai konfirmoi, se ata kishin parë së bashku, muajin e kaluar garën e Çmimit të Madh të Brazilit, në shtëpinë e Shumakerit. Revista gjermane “Bravo” ka raportuar se mjekët janë duke u përgatitur në fshehtësinë më të madhe për transferimin e Shumakerit në një klinikë në Dallas të Teksasit, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të specializuar në trajtimin e lëndimeve të trurit. Por, para se të bëhet ndonjë lëvizje e mundshme, Mikaeli do të festojë në 3 janar 2019, 50 vjetorin e lindjes së tij.