AlbanianSport.com 25/04/2020 17:10
ASNN – Në një kohë krize të pashoqe, si kjo e shkaktuar nga shpërthimi në shkallë globale e epidemisë së koronavirusit, por edhe në mungesë të gara sportive, siç është rasti i Formulës 1, teknologjia ka nisur të përdoret me efikasitet në këtë luftë për jetën. Kështu, është skuadra e “MekLaren”-it në Formula 1, e cila, ditët e fundit në qendrën e saj teknologjike në Uoking, në Britaninë e Madhe, filloi prodhimin e ventilatorëve për të ndihmuar sado pak në këtë situatë të shkaktuar nga virusi “Covid-19”.
Skuadra angleze, e cila në këtë periudhë të vitit ka qenë gjithmonë e impenjuar me garat e Formula 1, ndoqi shembullin e rivalit të saj, “Mercedes”-it, që ishin nismëtarët e kësaj sipërmarrjeje për prodhimin e ventilatorëve të aspirimit për pacientët me “Covid-19” në terapi intensive. Inxhinierët, projektuesit dhe menaxherët e skuadrës britanike po shfrytëzojnë teknologjitë që kanë patur në përdorim në makinat e Formula 1 dhe baza është pothuajse e njëjtë me ato të këtyre makinave.
Në këtë nismë janë përfshirë të gjitha ndërmarrjet e “MekLaren”-it, përfshirë “McLaren Group”, “McLaren Racing, “McLaren Automotive” dhe “McLaren Applied”. Për të gjithë ventilatorët që po prodhohen nga skuadra britanike sipas shefit të ndërtimit të makinës në Formula 1, Xhonatan Bruks, po ofrohen gjithashtu dhe karrocat mbështetëse të ventilatorëve, ndërsa sipas Pirs Thajnes, drejtorit të garave në “MekLaren” është një përvojë interesante të shikosh transformimin e ventilatorëve të makinave në ventilatorë për ndihmë në frymëmarrje.
Të gjithë ventilatorët që do të prodhohen nga skuadra britanike do t’u ofrohen spitaleve në mbarë vendin në luftën kundër “Covid-19”-ës.