AlbanianSport.com 18/05/2020 20:10
ASNN – Ai ka qenë aty, përtej të gjitha rrethanave dhe hollësive dhe ai e di se ç’do të thotë të ngasësh një “Ferrari” dhe natyrshëm që mund të ketë edhe një këshillë për pasardhësit e tij. “Është një familje e mahnitshme, duke filluar nga babai i tij”. Kjo është fjalia e parë që thotë Felipe Masa kur u pyet për Karlos Sainzin. Një emër dhe një mbiemër që kapërcen kufinjtë në Formula 1, së pari për sukseset e babait dhe tani për suksesin e djalit, duke siguruar një të ardhme me “Ferrari”-n deri në vitin 2021.
“Është një ndjenjë fantastike të jesh pjesë e skuadrës së kuqe”, – ka thënë ish piloti brazilian e “Ferrari”-t. I pyetur nëse edhe Sainz do të arrijë të bëhet “kampion” si ai, Felipe përgjigjet: “Unë mendoj se po, por kjo do të varet nga ai. Duhet të presim për të parë vitin e tij të parë atje, ai ka talent dhe aftësi. Por duhet të dini se “Ferrari” po kalon një periudhë të vështirë tani. Ata duhet të kthehen përsëri si dikur, sepse nuk kanë fituar një titull që nga viti 2008.
“Ata duan të përmirësohen dhe unë mendoj se të punosh me dy të rinj është interesante”, – ka theksuar braziliani. Përsa u përket aftësive të Sainzit, Masa mendon pozitivisht. “Ai filloi të bënte përshtypje që në vitin e tij të parë te “Toro Roso” me Verstapenin. Ishte gjithnjë në duel. Ai ka treguar në këto vite se është rritur dhe fituar përvojë. Vitin e kaluar pati një sezon shumë të rëndësishëm me “MekLaren”-in. I është dhënë një mundësi të garojë te “Ferrari” dhe unë mendoj se ai mund të bëjë një punë fantastike.”
“Sainzi ka përvojë tashmë, është i zgjuar e nuk dështon, – ka vijuar Masa. – Ai mund të bëjë përshtypje në një ekip të madh si “Ferrari”.” Felipe ka treguar edhe për presionin që ekziston te “Ferrari” dhe për mundësinë që do t’i japë skuadra të dy pilotëve të saj. “Në asnjë ekip nuk ka një presion kaq të fortë si te “Ferrari”, – ka zbuluar ish-piloti i kokëkuqes. – Kjo nuk është e lehtë për një pilot. Por unë mendoj se Carlos do ta bëjë atë shpejt, ashtu si Lëklerku.”
“Unë besoj se Ferrari do t’u japë një mundësi të barabartë të dy pilotëve për të garuar”, – ka përfunduar ish-piloti brazilian, Felipe Masa.