AlbanianSport.com 31/03/2022 18:40
ASNN – Zbardhet shkak i vdekjes një vit më parë, britaniku vrau veten me armë zjarri. Ish-Presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit (FIA), Maks Moslej u nda nga jeta në maj të vitit të shkuar, në moshën 81-vjeçare. Por tanimë është mësuar se ai ka patur një fund të trishtueshëm, teksa ekspertët mjeko-ligjorë kanë zbuluar se Moslej vrau veten pasi mësoi se vuante nga kanceri i pashërueshëm.
Mediat britanike kanë zbuluar se sëmundja i kishte shkaktuar 81-vjeçarit dhimbje të padurueshme, duke e çuar atë drejt vendimit të skajshëm, të cilin ai e shpjegon në një letër të shkruar pasi kishte konsumuar një vakt të fundit me bashkëshorten dhe më pas i dha fund jetës me armë zjarri. Maks Moslej e udhëhoqi për plot 16 organizmin botëror që qeveris motorsportet, nga 1993-shi, deri më 2009-ën.
Përgjatë drejtimit të tij, spikati puna për të përmirësuar sigurinë e garave me makina, por edhe themelimi dhe ngritja e Fondacionit dhe Akademisë së FIA-s. Britaniku u rizgjodh në 1997-ën, 2001-shin and 2005-ën, përpara se t’ia kalonte stafetën pasardhësit të tij, francezit Zhan Todt. Megjithatë, incidente të ndryshme për jetën private dhe të qenit i biri i një drejtuesit të organizatës së fashistëve britanikë, ndikuan në tërheqjen e tij nga drejtimi i FIA-s, por ai mbeti President Nderi i saj deri në fund të jetës së tij.