AlbanianSport.com 20/04/2020 23:10
ASNN – Është përfolur shumë në lidhje me largimin nga skuadra që e shpalli 6 herë “kampion bote” e, për më tepër, për një kalim të bujshëm nga “Mercedes”-i, tek rivalja e përjetshme, “Ferrari”. Për më tepër, ai vetë e pati ndezur fantazinë e të apasionuarve pas Formukës 1, duke lënë shpesh të hapur mundësinë e asaj që do të ishte një “martesë e bërë në parajsë”.
Por Ljuis Hemitoni, ka deklaruar së fundmi se ai nuk po provon të largohet nga “Mercedes”-i, në atë që do të ishte merkatoja e këtij viti të pilotëve të Formulës 1. Kampioni në fuqi i botës është midis shumë pilotëve që kanë kontrata deri në fund të edicionit 2020, një edicion është goditur rëndë nga epidemia e koronavirusit dhe që në fakt as nuk ka nisur ende.
“Nuk jam duke ëndërruar për ndonjë skuadër tjetër, – ka thënë Hemiltoni, duke folur për rrjetin prestigjioz britanik, BBC. – Unë jam me ekipin e ëndrrave të mia. Nuk ka ndonjë gjë në rrugën time, unë nuk po mundohem të largohem. Jam me njerëzit që janë kujdesur nga dita e parë.” Ai ka shtuar më tej se “Mercedes”-i është padyshim “ekipi më i mirë”.
Hemiltoni u është përgjigjur raporteve se shpresat e tij për kalim te “Ferrari” janë goditur nga shenjat se Sebastian Feteli do të nënshkruajë një kontratë të re me skuadrën italiane. Ashtu sikundër Feteli, edhe Hemiltoni, do të jetë pa kontratë në fund të vitit. Edicioni 2020 i Formulës 1 nuk ka nisur ende, ndërsa shpresat janë që ai të nisë në verë në Evropë, pa praninë e shikuesve.
Piloti britanik, kampion në fuqi i Formula 1, është më i paguari në botë, duke përfituar plot 45 milion euro në sezon. Ndoshta, kjo është një ndër arsyet që nuk largohet nga “Mercedes”-i.