AlbanianSport.com 16/02/2021 21:40
ASNN – Ljuis Hemiltoni u ka kërkuar falje ndjekësve të tij në rrjetet sociale, sepse nuk ka qenë pranë tyre kohët e fundit. Ai ka sqaruar situatën që ka kaluar deri në nënshkrimin e kontratës së re. E më pas iu ka premtuar se do të bëjë maksimumin për të fituar titullin e 8-të botëror. Tymnaja tashmë është shpërndarë. E telenovela parasezonale ka mbaruar dhe që nga 8 shkurti, Ljuis Hemilton do të jetë sërish pilot i “Mercedes”-it në Formula 1.
Më 1 janar 2021, ai mbeti pa një kontratë të vlefshme dhe negociatat e tij zgjatën më shumë sesa pritej, por marrëveshja minimale u arrit vetëm një muaj e gjysmë para fillimit të Botërorit të këtij viti. Ndaj koha e lirë për britanikun, ka mbaruar. Pavarsisht epërsisë së dukshme, që të gjithë e dinë tashmë që krijon çifti Hemilton-“Mercedes”, pilotit britanik i duhet të fitojë edhe titullin e tij të tetë botëror.
Kështu ai do të kalojë Mikael Shumakerin, duke arritur në historinë e Formulës 1 në një nivel që nuk është imagjinuar kurrë nga ndonjë pilot tjetër. Me këtë premtim, Hemiltoni ka dashur t’u kërkojë falje 21.5 milion ndjekësve të tij në Instragram. Me arsyen se iu ka kushtuar më pak vëmendje atyre, në kohët e fundit, ai shkruan: “Përshëndetje të gjithëve. Më vjen keq që jam larguar nga ju për një kohë.”
“Por jam përqendruar dhe jam duke u përgatitur për sezonin e ardhshëm. Ndihem me fat që pata këtë kohë të reflektoj dhe të përgatitem”, – justifikohet kampioni i botës me ndjekësit e tij. Për më tepër ai iu premton atyre se do të japë maksimumin për të fituar titullin e 8-të botëror në Formula 1. “Ndihem mirë për sezonin e ardhshëm, por dua që ju të dini se nuk ju harroj”, – vijon Hemiltoni.
“Dhe shpresoj që të jeni mirë në këtë kohë epidemie. Më mungojnë garat dhe mezi pres të dal sërish në pistë. Ju siguroj se do të luftoj maksimalisht për të fituar sërish titullin kampion bote në Formula 1”, – ka përfunduar piloti britanik i skuadrës gjermane të “Mercedes”-it.