AlbanianSport.com 04/02/2020 23:15
ASNN – “Koronavirusi” po e shtyn botën drejt një spirale alarmi, përballë një numri të madh të sëmurësh që po i kalon 20,000. Ky është shkaku që ka shqetësuar edhe botën e motorsportit. Të mërkurën më 5 shkurt, do të mblidhet këshilli drejtues i FIA-s për të marrë disa vendime të rëndësishme, siç është ai nëse do ta shtyjë ose ta fshijë nga kalendari Çmimin e Madh të Kinës. I intervistuar nga Motorsport.com për këtë argument, drejtuesi i “Red Bull”-it, Kristian Horner, ishte tepër i kujdesshëm por i vendosur.
“Për momentin ne nuk mund të verifikojmë situatën në vend, por thjesht nuk mund të lejojmë askënd të shkojë atje”, – thotë ai. – FIA është ligjvënëse, “Liberty Media” është organizatore, dhe të dy janë përgjegjës për shëndetin e të gjithëve. Jo vetëm për pilotët, por edhe për stafin, të gjithë personat që udhëtojnë drejt vendeve ku zhvillohen garat, përfshirë edhe mediat. Jam i sigurt se do të arrijnë të marrin vendimin e duhur pasi të kenë shqyrtuar të gjitha mundësitë”. Disa zëra brenda FIA-s, thonë se mund të bëhet edhe një ndryshim në kalendar.
Bëhet fjalë për një shkëmbim midis Çmimit të Madh të Rusisë, që mbahet në 27 shtator, me atë të Kinës. Kështu mund t’i lihet kohë qeverisë së Pekinit për të gjetur zgjidhjen kundër virusit dhe situata të jetë më e qetë. Por nga Rusia vjen lajmi se kjo nuk mund të ndodhë. “Data e Çmimit të madh të Rusisë për 2020 nuk mund të ndryshohet në mënyrë kategorike”, – thotë zëdhënësi i kompanisë që organizon garën. Dhe sipas rregullores, për të modifikuar apo fshirë datën e një Çmimi të Madh, duhet bëre 7 javë para fundjavës së garës.
Kjo do të thotë, që FIA duhet të marrë vendim deri në 27 shkurt 2020.