AlbanianSport.com 06/05/2020 19:55
ASNN – Kreu Ekzekutiv i Formula 1, Çejs Keri, ka pranuar se kompania që zotëron të drejtat e organizmit të këtij Botërori po përgatiten për “mundësinë e largët që asnjë garë të mos mbahet në vitin 2020”.
Sipas Kerit, “Liberty Media”, kompania pronare e Formulës 1, ka diskutuar me huadhënësit për mënyrën se si të përballohen humbjet e ndjeshme në të ardhura, nëse nuk mbahet asnjë garë e këtij sezoni.
Megjithatë ai përsëriti optimizmin e tij, duke theksuar: “Ne jemi gjithnjë e më të sigurt, edhe pse nuk ka garanci, se do të kemi një Kampionat Botërori të Formulës 1 për vitin 2020”.
Sipas rrjetit prestigjioz britanik, BBC, të dhënat e Formulës 1 tregojnë se të ardhurat janë zvogëluar me 84 % në tremujorin e parë të vitit. Keri e ka pranuar se epidemia e virusit korona, që ka shpërthyer në shkallë globale, ka patur ndikim të madh në Formulën 1.
Sipas tij synim mbetet që sezoni të fillojë në Austri në fundjavën e parë të korrikut.