AlbanianSport.com 11/11/2018 21:10
ASNN – Ljuis Hemiltoni ka korrur fitoren e tij të 10-të në këtë sezon, duke triumfuar në garën e Çmimit të Madh të Brazili në Formula 1. Triumfi i tij nënkuptoi edhe fitimin e titullit “kampion” në kategorinë e konstruktorëve për skuadrën e “Mercedes”-it. Emocionet e garës së sotme u sollën për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.
Ljuis Hemilton nuk ndalet dhe merr një tjetër fitore, që për më tepër, ka rëndësi edhe për skuadrën e “Mercedesit”, që, pasi ka siguruar titullin e kampiones së botës për pilotë, ka siguruar edhe titullin e kampiones së botës për konstruktorë, edhe pse ka edhe një garë për t’u zhvilluar për këtë sezon. Piloti britanik është nisur nga vendi i parë në pistën e Interlagosit, duke mos gabuar në të 71 xhirot e garës.
Ai ka mbërritur i pari në finish, edhe pse, në një moment të caktuar, Maks Verstapeni kërcënoi ta zbriste nga shkalla më e lartë e podiumit. Në përfundim, piloti i ri holandez i “Red Bullit” është detyruar të kënaqet me vendin e dytë, ndërsa podiumin e plotësoi veterani i “Ferrarit”, Kimi Raikonen, i cili mban gjithashtu edhe vendin e 3-të në renditjen e përgjithshme të pilotëve.
Ndërkohë, skuadra e “Mercedesit” siguroi edhe matematikisht titullin, duke triumfuar me 67 pikë kundrejt rivales italiane, “Ferrarit” dhe duke e bërë garën e fundit të sezonit, atë të pas dy javëve në kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Abu Dhabi, një formalitet. Në fakt, vetëm në një moment të caktuar të garës, Verstapeni e ka marrë kryesimin e garës, duke parakaluar Hemiltonin.
Por pakujdesia nga njëra anë, por edhe gabimi i pilotit të “Force Indias”, Sebastian Okon, shkaktoi një aksident, që, sikundër rezultoi në fund, i kushtoi holandezit fitoren në Brazil. Sikundër i gjithë ky sezon, edhe emocionet e garës së Çmimit të Madh të Brazili në Formula 1 u sollën për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.