AlbanianSport.com 01/10/2018 12:55
ASNN – Ljuis Hemiltoni ka këmbëngulur se as në diskutimet para garës, as në bisedat në radio gjatë garës, ai nuk kishte kërkuar që Valteri Botasi t’ia dhuronte fitoren në Soçi. Britaniku ka deklaruar se ai as nuk e ka kërkuar dhe as nuk e donte futjen në përdorim të urdhërave të skuadrës, që e ndihmuan atë të fitonte të dielën garën e Çmimit të Madh të Rusisë në Formula 1.
Kryesuesi i renditjes së përgjithshme të Formula 1, Ljuis Hemilton, ka deklaruar se ai as nuk e ka kërkuar dhe as nuk e donte futjen në përdorim të urdhërave të skuadrës, që e ndihmuan atë të fitonte të dielën garën e Çmimit të Madh të Rusisë. Pilotit të “Mercedesit” iu dhurua fitorja të dielën në Soçi, pasi shoku i tij i skuadrës, Valteri Botas, u urdhërua t’i hapte rrugë.
Ky veprim e la Hemiltonin dukshëm të demoralizuar pas garës dhe ai ka këmbëngulur se as në diskutimet para garës, as në bisedat në radio gjatë garës, ai nuk kishte kërkuar që Botasi t’ia dhuronte fitoren. “Ia thashë edhe vetë Valterit, që kjo ishte diçka që unë nuk e kam kërkuar, – ka deklaruar britaniku. – Por kjo është ajo që skuadra e pa si të drejtë në këto rrethana.”
“Natyrisht, kjo është një situatë mjaft e sikletshme për mua, – ka vijuar ai. – Më thanë në radio se Valteri po më linte të kaloja, por nuk ishte kjo ajo që unë doja. Unë thjesht u thashë që ai të garonte pak më shpejt, sepse e kisha Sebastian Fetelin mbi kurriz. Por, kur e parakalova në kthesën e 13-të, nuk u ndjeva aspak mirë. Derisa kështu e deshi skuadra, unë nuk mund të bëj asgjë më tepër.”
Ndërkaq, Botasi deklaroi se i kupton arsyet se pse “Mercedesi” e mori atë vendim, ndonëse personalisht e kishte të vështirë ta pranonte. “Kjo pritej, duke qenë se Ljuisi po lufton për titullin dhe unë jo”, – pohoi finlandezi, i cili theksoi se ai vetë nuk do ta pranojë një fitore të tillë, që Hemiltoni mund t’ia dhurojë në garat e fundit të sezonit. “Jo, – tha ai, – mendoj që është më zbavitëse të luftosh për ta fituar atë.”