AlbanianSport.com 19/09/2018 21:30
ASNN – Shpresat e Sebastian Fetelit për titull morën një goditje në fundjavë, pasi Ljuis Hemiltoni mori kreun e podiumit në Singapor dhe gjermani atë të poshtme. Por piloti i “Ferrari”-t mbetet sërish optimist, duke këmbëngulur që “Kokëkuqja” do të luftojë për t’i fituar të 6 garat e mbetura. “Ferrari” ishte favorite për të fituar në Marina Bej, ashtu siç ishte edhe në Itali, por, në të dyja rastet, ishte “Mercedes”-i, e sidomos Hemiltoni, ai që triumfoi përkundër të gjithas gjasave.
Ky triumf, që ishte i 4-ti në 5 gara, bëri që britaniku të shkëputet plot 40 pikë në krye të renditjes së pilotëve dhe atij do t’i mjaftojë që të dalë i dyti në të 6 garat për të siguruar titullin në fund. Por Feteli shpreson që makina që ka t’i japë mundësi ta zhbëjë këtë hendek në garat e mbetura, në Rusi, Japoni, SHBA, Meksikë, Brazil dhe Abu Dhabi. “Ljuisi tha se ai nuk priste të vinte në Singapor e të fitonte 10 pikë e as ne nuk prisnim të vinim e të humbnim 10 pikë”, – tha piloti gjerman i skuadrës italiane.
“Por, ka ende shumë rrugë për të bërë dhe janë ende shumë pikë në lojë, – vijoi ai. – Nuk kam besuar kurrë se kemi patur makinën më shpejtë, siç thonin njerëzit, por e di që kemi një makinë të mirë.” Rusia është një shans i mirë për “Ferrari”-n, por është ”Mercedes”-i që i ka fituar të 4 edicionet e deritanishme në pistën e Soçit. “Rusia është një pistë ku ne jemi përmirësuar nga gara në garës dhe mendoj se kjo mund të jetë gara e duhur”, – ka theksuar Feteli.
“Por, në përgjithësi, nuk shikoj asnjë arsye pse duhet t’i trembemi asnjërës prej 6 pistave që na presin, sepse makina jonë po punon shumë mirë”, – përfundoi piloti gjerman i “Ferrari”-t, Sebastian Fetel.