AlbanianSport.com 28/09/2018 12:05
ASNN – Sebastian Fetel nuk mendon se ai dhe “Ferrari” i kanë humbur shanset për të fituar titullin “kampion” në Formula 1. Madje ai synon të fitojë në garën e ardhshme, atë të Rusisë për të treguar se ai është ende në garë. Por edhe Hamilton nuk tërhiqet. Me formën dhe makinën që ka mendon se titulli i takon atij. Kështu pra, për Fetelin nuk nuk ka më vend për gabime. Dhe në Soçi, nëse ai kërkon ende të jetë në luftë për titullin, objektivi i pilotit të “Ferrrarit” është vetëm fitorja.
“Kemi ende një mundësi të qartë për të ndryshuar fatet e këtij botërori, – ka thënë gjermani. – Makina është madje shumë konkurruese. Duhet vetëm të besojmë. Nuk duhet të shqetësohemi nga rezultatet e garave të fundit, që nuk shkuan ashtu siç dëshironim. Duhet të përqendrohemi në atë çfarë duhet të bëjmë këtej e tutje. Në këtë pistë duhet vetëm të nisem mirë që në fillim. Më duhet t’ju them se objektivi im është fitoj këtë garë, më pas të shohim të tjerat” – ka shtuar gjermani i “Ferrarit”.
Pra Feteli nuk tërhiqet. Por për të arritur objektivin i duhet edhe ndihma e Kimi Raikonenit. “Janë disa rregulla të përcaktuara brenda skuadrës, – ka shpjeguar nga ana e tij Kimi. – Nëse duam të fitojmë kampionatin duhet ta mbyllim garën i pari dhe i dyti.” Pra të gjithë kundër Ljuis Hemiltonit. Por britaniku është i karikuar dhe nuk duket se ka ndër mend të tërhiqet nga titulli. “Që të jem i sinqertë, nuk jam ndjerë kurrë më parë se sa tani kaq në formë”, – ka thënë ai.
“Ndjehem Ljuisi më i mirë nga të gjithë vitet në Formula 1” – ka shtuar britaniku i “Mercedesit”. E në Rusi ai e ndjen se do të japë goditjen finale të këtij sezoni të gjatë. “Në këtë moment po garoj me skuadrën më të mirë që mund të dëshiroja” – ka mbyllur prononcimin e tij kryesuesi i renditjes së përgjithshme të pilotëve në Formula 1.